Ndërmarrja publike “Trepça” ka njoftuar se ka larguar përkohësisht nga puna dy punëtorë, inicialet e të cilëve janë G.M. dhe A.T. sepse kanë kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës.
Bëhet e ditur se punëtori G.M. ka shkaktuar disa pasoja për “Trepçën”, duke filluar nga dëmtim i cilësisë së prodhimit, rritje e kostove operative, humbje financiare, keqmenaxhim i resurseve, dëmtim i besueshmërisë në treg dhe rrezik për stabilitetin operacional.
Sipas njoftimit, thuhet se “Trepça” mbetet e përkushtuar për respektimin e standardeve ligjore.
“Trepça Sh.A. mbetet e përkushtuar për respektimin e standardeve ligjore dhe transparencën në menaxhimin e ndërmarrjes, duke ndërmarrë masa të menjëhershme për të garantuar stabilitetin e prodhimit, ruajtjen e cilësisë dhe rikthimin e besueshmërisë në treg”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, punëtorja me inicialet A.T. raportohet se nuk i ka respektuar rregulloret ligjore dhe nuk ka vepruar në përputhje me rregullat dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës, lidhur me raportimin financiar dhe detyrimet tatimore.
“Si pasojë e mosraportimit të të dhënave të nevojshme financiare, ka pasur shmangie nga përmbushja e obligimeve ligjore, të cilat bien ndesh me Ligjin për Administratën Tatimore dhe Procedurat dhe aktet e tjera përkatëse”, thuhet në njoftim.
Duke u bazuar në këtë është marrë masa e largimit të përkohshëm nga puna për punëtoren në fjalë.
“Trepça Sh.A. mbetet e përkushtuar për respektimin e ligjit, transparencën dhe përgjegjësinë në menaxhimin e ndërmarrjes”, thuhet tutje në njoftim.