Sa po implementohet projekti për vendosjen e byzylykëve te dhunuesit e viktimat?

Aktuale

Sa po implementohet projekti për vendosjen e byzylykëve te dhunuesit e viktimat?

Më: 1 mars 2025 Në ora: 22:14
Ilustrim

Nga dhjetori i vitit 2024 këta byzylykë iu vendosën personave të dyshuar për dhunë në familje.

Përmes tyre, Policia e Kosovës monitoron lëvizjen e tyre dhe mundësinë nëse ata i ofrohen viktimës në një perimetër të caktuar nga Gjykata.

E kur kanë kaluar më shumë se dy muaj, nga ky institucion thonë për tëvë1 se implementimi i saj është duke u realizuar me sukses.

“Referuar kërkesës suaj rreth projektit për Monitorimin Elektronik të Urdhrave Mbrojtës u njoftojmë se Policia e Kosovës ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme për implementimin e këtij projekti duke përfshirë trajnimin e personelit të nevojshëm si dhe ka vendosur dhe funksionalizuar sistemin në të gjitha drejtoritë rajonale”, thuhet nga Policia e Kosovës.

E nënkoloneli në pension i Policisë, Refki Morina tregon se praktikat e njëjta në shtete evropiane, janë vlerësuar shumë efikase.

“Unë mendoj se ka kapacitete por duhet një angazhim më i madh, më i shtuar i Policisë së Kosovës dhe një perfeksionim më i mirë i teknikës, teknologjisë për arsye se GPS dhe forma e veprimit të kësaj teknike ose byzylykëve të tillë kërkon që vazhdimisht edhe viktima edhe kryerësi të kenë qasje në internet ose në rrjedha të tërësishme në mënyrë që të informohet dhe të jep sinjalin e caktuar se kryerësi i kësaj vepre penale, dhunës në familje afrohet afër viktimës”, shprehet Morina.

E sipas avokatit, Xhevdet Smakiqi, Qeveria është vonuar në gjetjen e zbatimit të këtij Ligji, por që thekson se ndihmon në uljen e kryerjes së kësaj vepre.

“E para, do të jetë shumë efektive dhe e mirë për Gjykatat dhe Prokurorinë sepse është edhe një masë alternative për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurën penale dhe kjo do të shkarkojë apo do të zbrazë personat të cilët janë në paraburgim për këto vepra penale dhe vendosja e byzylykut do t’i ndihmojë atyre sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale por edhe do të pamundësojë ofrimin te viktima”, shprehet Smakiqi.

Sipas Ligjit, të dyshuarit që nuk e bartin apo e heqin këtë byzylykë, mund t’iu ndryshohet masa e sigurisë me paraburgim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat