Seancat gjyqësore në Hagë vijojnë nga 17 marsi

Aktuale

Seancat gjyqësore në Hagë vijojnë nga 17 marsi

Më: 1 mars 2025 Në ora: 23:59
Ish-pjesëtarët e UÇK-së

Javën që po lëmë pas, Gjykata Speciale në Hagë mbajti seancat e fundit para se të dalë në pushim dy javor.

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, do të vazhdojnë nga 17 marsi e tutje.

Në seancën e fundit të mbajtur, u dëgjua dëshmia e ish-komandantit Ismet Tara, i cili më pas u lirua nga trupi gjykues.

Ndërkaq, Trupi Gjykues miratoi pjesërisht pranimin e disa provave materiale lidhur me organizimin e UÇK-së në zonën e Drenicës bazuar në autenticitetin dhe relevancën e tyre, dhe duke marrë parasysh konstatimin e Trupit Gjykues se pranimi i këtyre dokumenteve si prova nuk i shkakton dëm Mbrojtjes.

Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, tha se Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën e Prokurorisë lidhur me prova materiale që, sipas mendimit të Trupit Gjykues, nuk ishin autentike.

“Më 21 shkurt, Trupi Gjykues miratoi pjesërisht një mocion të ngjashëm të Prokurorisë për prova në lidhje me zonën e Llapit dhe urdhëroi Prokurorinë të ndryshonte listën e provave materiale jo më vonë se të premten, 28 shkurt”, tha ajo.

Kujtojmë se më 4 prill do të përfundojë dëgjimi i dëshmitarëve në Hagë.

Seanca e 17 marsit fillon rëndom si seancat paraprake në Hagë – në ora 09:00.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat