​Mbi 200 mijë euro vlera e pasurisë së konfiskuar në tre muajt e fundit të vitit të kaluar

Aktuale

​Mbi 200 mijë euro vlera e pasurisë së konfiskuar në tre muajt e fundit të vitit të kaluar

Më: 3 mars 2025 Në ora: 13:18
Foto ilustrim

Në tre muajt e fundit të vitit të kaluar janë raportuar pasuri të konfiskuara në shumën mbi 200 mijë euro. Ndërkaq, vlera e pasurive të sekuestruara për tetor-dhjetor është mbi 3.7 milionë në 51 raste. Kështu u tha se mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Kryesuesi i Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, Shqipdon Fazliu ka shpalosur raportin tremujor tetor-dhjetor të vitit të kaluar.

Fazliu: Në tre mujorin e fundit janë raportuar pasuri të konfiskuara në shumën prej 207 mijë euro

“Në tre mujorin e fundit janë raportuar pasuri të konfiskuara në shumën prej 207 mijë euro, në shtatë raste, ndërsa vlera e sekuestrimeve për këtë tre mujor e kap vlerën e mbi 3.7 milion euro pasuri të sekuestruara apo në 51 raste të ndryshme. Kjo është një veçori pozitive, meqë ka pasur raste edhe me konfiskim edhe me sekuestrim. Ndërsa, një aspekt tjetër pozitiv për tre mujorin e fundit të vitit 2024 ka qenë vazhdimi i përgjigjeve pozitive në kërkesat për shitjen e aseteve, ku në tre mujorin e fundit janë paraqitur 28 kërkesa”, tha ai.

Tutje, ai theksoi se nga ana e Prokurorisë Speciale janë paraqitur katër kërkesa për shitje të aseteve. Megjithatë, theksoi se ka dështim të funksioneve prokuroriale, meqë sipas tij ka prokurorë që nuk bëjnë kërkesa për shitje të aseteve.

Fazliu: Buxheti i shtetit po vazhdon që të dëmtohet

“Gjatë ditëve dhe javëve të kaluara kemi kërkuar nga ana e koordinatorëve lokalë që të intensifikohet puna në paraqitjen e kërkesave të tilla, mirëpo nga përgjigjet që kemi pranuar shihet se ka prokurori dhe prokurorë që nuk kanë kthyer fare përgjigje në këtë çështje...Ne e kemi pajisur kryeprokurorin e shtetit dhe kryesuesin edhe me lista të posaçme të secilës prokurori, ku mund të shihen që ka prokurori dhe prokuror që me tepër se pesë apo gjashtë vite kanë veturat e sekuestruara mirëpo nuk kanë paraqitur kërkesa për shitje. Buxheti i shtetit po vazhdon që të dëmtohet në mënyrë të vazhdueshme me këtë çështje. Tash e tutje mbetet te ju që të vlerësohet një mos veprim i tillë që rezulton në një dështim në kryerjen e funksioneve prokuroriale dhe në dëmtimin e buxhetit të Kosovës, apo në paraqitjen e padive nga ana e të pandehurve në rast se do të ju kthehet vetura pas disa vitesh”, shtoi ai.

Siç raporton KosovaPress, Këshilli Prokurorial i Kosovës miratoi të hënën rregulloren për themelimin dhe funksionimin e ekipeve të përbashkëta të hetimit. Po ashtu, u miratua edhe rregullorja për veprimtarinë, organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e administratës së KPK-së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat