Kryeministri takoi fituesit e Çmimeve të Vullnetarizmit të Vitit

Aktuale

Kryeministri takoi fituesit e Çmimeve të Vullnetarizmit të Vitit

Më: 3 mars 2025 Në ora: 15:03
Foto nga vendngjarja

Fituesit e Çmimeve të Vullnetarizmit të Vitit kanë qenë sot mysafirë të kryeministrit, Albin Kurti.

Për kontributin që kanë dhënë për shoqërinë, morën falënderime nga kreu qeveritar, aty ku u theksua rëndësia e përfshirjes në punë vullnetare, veçanërisht e të rinjve, por në të njëjtën kohë edhe promovimi dhe mirënjohja e punës vullnetare në komunitet dhe shoqëri.  

“Çmimet e Vullnetarizmit të Vitit janë një nismë e organizatës TOKA – me mbështetjen e 50 hisedarëve nga komuniteti lokal dhe ndërkombëtar – që për qëllim ka mirënjohjen, promovimin dhe zgjerimin e pjesëmarrjes në vullnetarizëm. Nga 100 nominime, vitin e kaluar, për kontribut të jashtëzakonshëm u shpërblyen 8 fitues dhe u ndanë 7 mirënjohje të veçanta në shtatë kategori të ndryshme. Prej tyre, në takimin e sotëm të pranishëm ishin Gazmend Hasani, "Vullnetari më Guximtar i Vitit"; Dion Istrefi, "Vullnetari më Kreativ i Vitit"; Viola Maksuti, "Vullnetarja e Vitit"; Bujar Neziri, fitues i Çmimit "Ambasadori i Diasporës më Përkrahës i Vitit"; Donika Shahini-Lami, fituese e Çmimit "Figura Publike më Përkrahëse e Vitit"; dhe Liridona Syla nga kompania Kutia, fituese e Çmimit "Biznesi më Përkrahës i Vitit", që po shoqëroheshin nga Drejtorja Ekzekutive e organizatës TOKA dhe Drejtuesja e Programit për Zhvillim në këtë organizatë, Fjolla Shaqiri”, ka njoftuar Kryeministria.

Kurti e ka përkrahur fushatën e Çmimeve të Vullnetarizmit të Vitit 2024 me një video promovuese ku kishte bërë thirrje për nominim të qytetarëve dhe subjekteve që janë angazhuar apo kanë përkrahur vullnetarizmin në vend.

Si një nga hisedarët e fushatës, Zyra e Kryeministrit e përfaqësuar nga Mirlinda Lushtaku, Zyrtare e Lartë për Koordinim të Politikave në Sekretariatin Koordinues Qeveritar, kishte marrë pjesë në vlerësimin e nominimeve. Ndërkaq në konferencën e shpalljes së fituesve më 5 dhjetor 2024 kishte marrë pjesë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat