Një urdhër i Gjykatës Themelore në Prishtinë e obligon kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, që të martën më 4 mars të paraqitet për të dhënë dëshmi në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Prokuroria po kërkon tash e sa muaj dëshminë e shefit të ekzekutivit lidhur me një rast për rezervat shtetërore, por Kurti insiston që dëshminë ta jap në zyrën e tij në kryeministri, shkruan KosovaPress.
Çka pritet të ndodh nesër?
Në qeverinë e Kosovës nuk kanë bërë të ditur nëse Albin Kurti do t’i përgjigjet pozitivisht urdhrit të Gjykatës Themelore që të paraqitet më 4 mars në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Në ekzekutiv nuk kthyen përgjigje për KosovaPress, mirëpo sipas një njoftimi të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Albin Kurti, të martën në orën 10:00 - pikërisht në kohën kur është obliguar të paraqitet në Prokurorinë Speciale - do të jetë prezent në vendosjen e gurthemelit të një çerdheje të re në Gjilan.
Çështja e intervistimit të Kurtit po diskutohet prej dhjetorit të vitit të kaluar, kur edhe u lëshua ftesa e parë e Prokurorisë Speciale. Deri më tash, Albin Kurti ka ngulmuar që dëshminë ta jap vetëm në Zyrën e Kryeministrit, raporton KosovaPress.
Avokati Qëndrim Arifi, thotë për KosovaPress se Albin Kurti duhet të shkojë të jap dëshminë e tij në Prokurori Speciale, mirëpo sipas tij gjasat që diçka e tillë të mos ndodh, janë reale.
Si pasojë e kësaj, ai thotë se ndaj Kurtit mund të shqiptohet gjobë, mirëpo jo të burgoset, pasi në bazë të deklarimeve, kreu qeveritar është i gatshëm të dëshmojë “mirëpo dallimi qëndron tek vendi ku duhet të ndodh”.
Arifi thotë se kjo situatë mund të përsëritet derisa Albin Kurti, si dëshmitar, mund të bëhet jorelevant për çështjet për çka do të pyetet.
Arifi: Gjasat janë reale që të kemi kërkesa dhe gjoba të përsëritura ndaj Kurtit
“Gjasat janë reale që të kemi kërkesa të përsëritura dhe të kemi gjoba të përsëritura derisa dëshmitari i tillë të bëhet jorelevant për çështjen për të cilën do të pyetet. Duhet të dihet se procesi i hetimeve nuk pret pafundësisht, derisa të shkon dhe përgjigjet kryeministri. Kështu që unë vlerësoj se kjo temë do të mbetet kështu dhe kjo dëshmi nuk do të merret asnjëherë. Prova e kësaj dëshmie do të jetë jo relevante pasi koha nuk pret dhe prokuroria duhet të ecë me hetimet e veprës penale që i ka iniciuar”, thekson Arifi.
Ai tregon në detaje se cilat mund të jenë pasojat juridike të Kurtit në rast se nuk shkon për të dëshmuar nesër në Prokurorinë Speciale, përkundër urdhrit të Gjykatës Themelore.
Përkitazi me këtë, Arifi deklaron se Kurti mund të ndalohet nga Policia e Kosovës dhe të detyrohet të jap dëshminë.
Mirëpo sipas tij, burgosja e dëshmitarit mund të ndodh vetëm atëherë kur i njëjti nuk pranon që të jap deklaratën e tij.
Në rastin konkret, shton ai, Albin Kurti “ka shprehur vullnetin të dëshmojë, mirëpo kërkon që dëshmia të jepet në Zyrën e Kryeministrit”.
Arifi: Burgosja i dëshmitarit bëhet atëherë kur dëshmitari nuk dëshiron që të jap deklaratën e tij
“Nëse kryeministri refuzon që të shkojë në Prokurorinë Speciale për të dhënë deklaratën e tij në cilësi të dëshmitarit,atëherë Prokuroria Speciale duhet të njoftojë gjykatën për këtë mos prezencë. Gjykata ka të drejtë që deri në 250 euro t’i shqiptojë gjobë sa herë që kryeministri nuk paraqitet në Prokurorinë Speciale, pa ndonjë arsye të ligjshme. Kjo gjobë mund të vazhdojë sa herë që gjykata e obligon të paraqitet...Kemi pa që kryeministri është i gatshëm që të jep dëshmi, mirëpo nuk i pëlqen kushtimisht vendi se ku duhet të pyetet. Për këto çështje masa më e ashpër mund të jetë ndalimi i dëshmitarit. Gjykata patjetër mund të urdhërojë sjelljen e detyrueshme, por jo edhe burgimin. Burgimi i dëshmitarit është atëherë kur dëshmitari nuk dëshiron që të jap deklaratën e tij. Kjo është një masë detyruese ose presion që deri 30 ditë maksimalisht mund të qëndrojë i burgosur dëshmitari. Por jo dëshmitari që ka mospajtime me vendin ku duhet të pyetet”, thekson Arifi.
Gjykata Themelore në Prishtinë të premten më 28 shkurt, ka bërë të ditur se ka lëshuar urdhër që obligon kryeministrin e Kosovës në detyrë, Albin Kurti që të paraqitet më 4 mars në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të dhënë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit, në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.
Në anën tjetër, në ekzekutiv përmes një letre drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, kanë kërkuar që ta obligojë Prokurorinë Speciale që të marrë dëshminë e Albin Kurtit brenda zyrës së tij në kryeministri.
Ftesa e parë e Prokurorisë Speciale në drejtim të Albin Kurtit kishte ardhur më 16 dhjetor të vitit të kaluar. Ai nuk u paraqit në Prokurori me arsyetimin se ishte në udhëtim zyrtar.
Ndërkaq, ftesës së dytë, e cila ndodhi katër ditë më vonë pas asaj të 16 dhjetorit, përsëri nuk iu përgjigj. Albin Kurti ftoi prokurorët që të shkojnë dhe ta intervistojnë atë në Zyrën e Kryeministrit.