Kosova bën gati listën e aplikimeve për Kornizën Investuese për Ballkanin Perëndimor

Aktuale

Kosova bën gati listën e aplikimeve për Kornizën Investuese për Ballkanin Perëndimor

Më: 3 mars 2025 Në ora: 17:48
Pamje nga takimi

Institucionet e Kosovës tanimë kanë përpiluar listën e aplikimeve për raundin 10B të granteve investuese në kuadër të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor apo WBIF, për të cilat afati është data 7 mars.

Sipas një njoftimi të Qeverisë, aplikimet janë përgatitur nga ana e institucioneve të linjës, nën koordinimin e Zyrës së Kryeministrit dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, si dhe me institucionet financiare sponsorizuese të tyre, të cilat do të ofrojnë kredi për realizimin e këtyre projekteve.

Edhe pse nuk janë dhënë detaje, kjo listë është shqyrtuar sot nga Komisionit për Planifikim Strategjik, në të cilin krahas kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Avni Zogiani, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka, anëtarë të kabineteve qeveritare, si dhe drejtues të zyrave në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive të linjës.

Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF), duke përfshirë edhe platformën e saj të sektorit privat Programi i Zhvillimit dhe Inovacioneve të Ndërmarrjeve të Ballkanit Perëndimor (WB EDIF), mbledh partnerë të Ballkanit Perëndimor, donatorë bilateralë dhe Institucionet Financiare Ndërkombëtare në mbështetje të rritjes dhe konvergjencës së rajonit dhe vendeve individuale. ËBIF u krijua në 2009, me Bashkimin Evropian si donator kryesor përmes Instrumentit të Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA).

WBIF është instrument rajonal financiar që mbështet zgjerimin e BE-së dhe zhvillimin socio-ekonomik në Ballkanin Perëndimor duke ofruar financim dhe asistencë teknike për investime strategjike në fushën e energjisë, mjedisit, arsimit, shëndetësisë, transportit, zhvillimit të sektorit privat, dhe që nga dhjetori 2017, po ashtu në fushën e infrastrukturës digjitale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat