KDI: Refuzimi i Kurtit për të dëshmuar cenon sundimin e ligjit

Aktuale

KDI: Refuzimi i Kurtit për të dëshmuar cenon sundimin e ligjit

Më: 3 mars 2025 Në ora: 19:49
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka shprehur shqetësimin lidhur me qasjen refuzuese të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të dëshmuar në ambientet e Prokurorisë Speciale, në rastin e njohur si “Rezervat Shtetërore”.

Sipas një reagimi të KDI-së, ky veprim sfidon dhe minon parimin themelor të sundimit të ligjit dhe barazisë para ligjit, dy shtylla kyçe të rendit demokratik.

“Refuzimi i kryeministrit për t’iu përgjigjur një ftese zyrtare të organeve të drejtësisë, sipas procedurës së paraparë ligjore, ushqen përshtypjen e gabuar se parimi i barazisë para ligjit nuk vlen për zyrtarët e lartë, të cilët mbi këtë praktikë mund t’u shmangen rregullave që vlejnë edhe për qytetarët e tjerë. Insistimi i kryeministrit për të diktuar kushtet e dhënies së dëshmisë – duke këmbëngulur që intervistimi të zhvillohet në zyrën e tij dhe jo në ambientet e Prokurorisë – krijon një precedent të rrezikshëm dhe bie ndesh me dispozitat ligjore në fuqi. Sundimi i ligjit nënkupton se askush, pavarësisht pozitës apo funksionit, nuk gëzon trajtim të veçantë përballë institucioneve të drejtësisë. Nëse kreu i Qeverisë mund t’i shmanget thirrjeve të Prokurorisë apo të vendosë vetë se ku do të japë dëshmi, atëherë edhe zyrtarëve të tjerë publikë apo qytetarëve të zakonshëm do t’u krijohen mjaftueshëm alibi për t’a legjitimuar këtë praktikë. Në një demokraci të mirëfilltë ku zbatohet parimi i balanceve dhe kontrolleve midis pushteteteveudhëheqësit institucionalë kanë përgjegjësinë të japin shembullin më të mirë në respektimin e ligjit. Roli i Kryeministrit nuk është të vërë në pikëpyetje apo të negociojë zbatimin e procedurave ligjore, por të tregojë se askush – as vetë ai – nuk është mbi ligjin. Duke refuzuar të paraqitet në Prokurori sipas kërkesës zyrtare, Kryeministri bie ndesh me pritshmëritë e qytetarëve për llogaridhënie dhe transparencë. Për më tepër tani që procesi zgjedhor, në aspekt të votimit, veçse ka përfunduar, dhënia e dëshmisë nga ana e Kryeministrit nuk prodhon asnjë efekt elektoral kundrejt tij apo subjektit që ai përfaqëson”, thuhet në reagim.

KDI i bën thirrje kryeministrit Kurti që në respektim të parimit të sundimit ligjit dhe të bashkëpunimit me organet e drejtësisë, të paraqitet pa kushte në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e kërkuar.

Sipas KDI-së, vetëm duke vepruar në këtë mënyrë, ai mund të forcojë besimin e publikut tek institucionet shtetërore dhe të dëshmojë se, në një shtet ligjor të vërtetë, askush nuk është mbi ligjin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat