Shqeu librin e shenjtë të Kuranit, Prokuroria jep detaje për rastin

Aktuale

Shqeu librin e shenjtë të Kuranit, Prokuroria jep detaje për rastin

Më: 4 mars 2025 Në ora: 13:31
Foto ilustrim

Një incident i shëmtuar ka ndodhur në qytetin e Prizrenit, ku një qytetar është kapur nga kamerat e sigurisë duke grisur librin e shenjtë, Kuranin. I dyshuari për këtë akt të rëndë ende nuk është lokalizuar, ndërkohë që Prokuroria Themelore në Prizren ka autorizuar policinë për të ndërmarrë veprime hetimore.

Për këtë rast, u kontaktua Prokuroria Themelore, e cila ka konfirmuar se hetimet janë në proces.

Prokuroria ka potencuar se ka urdhëruar policinë që të punojë për identifikimin e kryesit dhe mbledhjen e provave të nevojshme.

“Prokuroria ka vlerësuar se kemi të bëjmë me veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit” nga neni 141, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), e cila vepër penale me Ligjin e ri për Prokurorinë Speciale ka kaluar në kompetencë të PSRK-së, ku e njëjta është njoftuar për rastin, dhe veprimet e mëtutjeshme hetimore është duke i ndërmarrë kjo e fundit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Nga pamjet e publikuara, raportohet se veprimi i burrit me grisjen e Kur’anit ka ndodhur të hënën gjatë muajit të Ramazanit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat