I arratisur për muaj me radhë dhe i akuzuar për shumë vepra penale, Prokuroria e lë në liri “Currin”

Aktuale

I arratisur për muaj me radhë dhe i akuzuar për shumë vepra penale, Prokuroria e lë në liri “Currin”

Më: 4 mars 2025 Në ora: 19:07
Foto ilustrim

Ismet Osmani i njohur si “Curri” i dyshuar për tentim vrasje, nga 17 shkurti 2025 gjendet në liri, pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka bërë kërkesë për vazhdim të masës së sigurisë.

Ismet Osmani i njohur si “Curri”, ishte dorëzuar më 19 nëntor 2024 në Prokurorinë Themelore të Prishtinës për rastin ku po kërkohej për tentim vrasje dhe të njëjtit më pas i ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se më 29 janar 2025 Currit i ishte ndërprerë masa e arrestit shtëpiak dhe i ishte zëvendësuar me paraqitje në stacionin policor deri më 17 shkurt 2025. Por, pas kësaj date nuk ka pasur kërkesë për vazhdim të masës.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, nga gjyqtari i procedurës paraprake jemi informuar se me vendimin PPRKR.nr.89/24 të datës 29.01.2025, të pandehurit I.O. i dyshuar për veprën penale Vrasje në tentativë i është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak dhe i është zëvendësuar me masën paraqitja në stacion policor deri me datën 17.02.2025. Pas këtij vendimi, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda nuk ka pranuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kërkesë për vazhdim të masës së sigurisë për të pandehurin I.O”, thuhet në përgjigjen e Gashit.

Ndryshe, “Curri” po gjykohet edhe për fajde, në të cilin rast kishte munguar edhe seancën e 1 korrikut 2024, për çka Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë vendim për t’ia revokuar masën e dorëzanisë prej 50 mijë euro.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat