Abdixhiku: Sakrifica e familjes Jashari, themeli i lirisë së Kosovës

Aktuale

Abdixhiku: Sakrifica e familjes Jashari, themeli i lirisë së Kosovës

Më: 5 mars 2025 Në ora: 10:22
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në 27 vjetorin e Epopesë së UÇK-së ka kujtuar sakrificën sublime të familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri.

“27 vjet më parë, Kosova përjetoi momentet më të rënda të historisë së saj më të re. Pikërisht më 5 mars të vitit 1998, forcat policore serbe rrethuan familjen Jashari. Qëndresa e tyre përballë këtyre forcave serbe ishte e pakapërcyeshme, e papërsëritshme. Ajo i dëshmoi botës vendosmërinë e palëkundur të popullit të Kosovës për çlirim”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai gjithashtu ka theksuar se sakrifica e familjes Jashari, të prirë nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, është vetë themeli i lirisë të Kosovës, prandaj dhe nuk mund të përshkruhet vetëm me fjalë.

Ata u bënë heronjtë tanë, të cilët jo vetëm që luftuan për lirinë e atdheut, por dhanë jetën për të krijuar një të ardhme më të mirë për brezat që do të vinin. Vlera e sakrificës së familjes Jashari është e papërsëritshme, unikate, dhe e tillë do të mbetet, e përjetshme në historinë e Kosovës dhe të popullit shqiptar. Pra të kujtosh e shënosh përvjetorin e Epopesë së UÇK-së, do të thotë të kujtosh e shënosh vet fundamentin e shtetit të Kosovës, si dhe përpjekjes së popullit tonë për liri”, është shprehur Abdixhiku.

I pari i LDK-së, ka deklaruar se datat 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 shënojnë ngjarjen më kulminante në luftën e Kosovës për liri dhe çlirim.

“Rënia heroike e Komandantit Legjendar Adem Jashari, bashkë me Shaban e Hamëz Jasharin si dhe 56 anëtarëve të familjes, ishte kushtrim për tërë popullin, si dhe këmbanë për luftën e përpjekjen e popullit drejt lirisë.

Familja Jashari është shembulli më i pastër i asaj që mund të bëjë një popull për lirinë e tij.  Në këtë ditë, në 27 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, kujtojmë me krenari dhe nder, të gjithë fëmijët, gratë e burrat që dhanë jetën për lirinë e Kosovës të cilën e gëzojmë sot. Lavdi e përjetshme për familjen Jashari dhe të gjithë të rënët anë e kënd Kosovës!”, ka thënë Abdixhiku.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat