IKSHPK-ja kundërshton gjetjet në Maqedoninë e Veriut për ujin nga Kosova

Aktuale

IKSHPK-ja kundërshton gjetjet në Maqedoninë e Veriut për ujin nga Kosova

Më: 5 mars 2025 Në ora: 18:16
Ndërtesa e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Uji burimor “Rugove” kontrollohet rregullisht në laboratorët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe në të “nuk janë gjetur asnjëherë baktere të dëmshme për shëndetin e konsumuesve”, thotë Ergyl Binçe, drejtor i Laboratorëve për Analizat e Ujit dhe Ushqimeve në këtë institucion.

Radio Evropa e Lirë siguroi deklaratën e tij një ditë pasi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Maqedonisë së Veriut njoftoi se është duke i inspektuar të gjitha dërgesat e ujit burimor nga Kosova, pasi, siç tha, disa analiza të mëhershme zbuluan praninë e bakterit koliform në një mostër uji.

Media të caktuara në këtë vend publikuan vendimin e agjencisë, sipas të cilit bëhet fjalë për mostra të ujit “Rugove”.

Kjo kompani e Kosovës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se produkti i saj është në rregull dhe se shitjet në shtetin fqinj janë duke vazhduar.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me shqetësimin që ka ngritur agjencia e saj homologe në Maqedoni të Veriut.

Ngjashëm nuk u përgjigj as Inspektorati Sanitar, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe është përgjegjës, ndër të tjera, për vërtetimin e cilësisë së ujit të ambalazhuar në Kosovë.

Çka thotë IKSHPK-ja?

Binçe konfirmon se kompania që prodhon ujin “Rugove” i bën vazhdimisht analizat në IKSHPK - “madje edhe për stoqet që i eksporton jashtë vendit”.

Ai beson se vërejtjet që kanë përmendur autoritetet kompetente të Maqedonisë së Veriut, lidhur me “praninë e bakterit koliform” te uji i ambalazhuar “Rugove”, nuk qëndrojnë.

“Këtë bakter që e përmendin, nuk e kemi gjetur kurrë, jo vetëm tek uji ‘Rugove’, por tek asnjë [nga ujërat e ambalazhuara të kompanive tjera kosovare"”, thotë Binçe.

Ai shton se është e rëndësishme që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës të marrë një rol më aktiv, duke shkuar në Maqedoninë e Veriut dhe duke verifikuar në mënyrë të pavarur burimin e problemit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat