Ish-nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci tha se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës është proces i pandalshëm dhe i pakthyeshëm.
“Është për keqardhje që një shtet e prezanton arritjen e një çështjeje që fare nuk lidhet me ta, për beteja të tyre politike të brendshme siç ka bërë sot Serbia”, shkroi Bogujevci në Facebook.
Ajo bëri një sqarim rreth asaj se çka ndodhi të mërkurën në Paris ku delegacioni i Kosovës ishte në takimin e Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci, të Këshillit të Evropës. Një nga pikat në rendin e ditës ishte edhe trajtimi i kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për avancim të statusit.
“Kjo pikë është pjesë procedurale e një shteti që aplikon për anëtarësim. Komiteti e trajton kërkesën me propozim të Byrosë dhe jep opinionin për Byronë, e cila e merr vendimin. Me kërkesë të deputetit Pablo Hispan, udhëheqës i grupit të EPP-së, është shtyrë kjo pikë e rendit të ditës. Kosova ka arritur sukses të jashtëzakonshëm kur, me mbi 80% të votave, kaloi raportin në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësim. Procesi më i rëndësishëm është anëtarësimi; ndryshimi i statusit është procedurale dhe i përcaktuar me rregulla të Asamblesë”, shkroi ajo në Facebook.
Këshilli i Evropës është organizatë lidere në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.