Ende nuk janë bërë dy javë nga plagosja e një shoferi të kompanisë ‘Taxi Asi’, ku edhe një shofer tjetër u qëllua me armë zjarri. Incidenti që ndodhi mbrëmjen e të dielës, në lagjen Emshir të Prishtinës po hetohet si tentim vrasje dhe dy persona dyshohen se janë përfshirë.
Media mëson se viktima në këtë rast është Butrint Brajshori, rreth 27-vjeçar, i cili u plagos derisa ishte duke i dërguar dy të dyshuarit në një destinacion.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një pistë që po hetohet është edhe ndërlidhja e këtij incidenti me rastin që ndodhi më 21 shkurt, ku u plagos një shofer tjetër i kësaj kompanie.
Bazuar në informacionet e para, media raporton se viktima në rastin e parë, Gentrit Ibrahimi, dyshohet se është njëri nga të dyshuarit për rastin e tentim vrasjes së Brajshorit.
Dy të dyshuarit fillimisht kanë pasur një konflikt verbal me shoferin, për shkak të lokacionit që kërkuan t’i dërgonte e më pas njëri prej tyre ka nxjerrë armën dhe e ka gjuajtur.
Viktima u dërgua në QKUK për trajtim mjekësor e më pas dha deklaratën e tij lidhur me rastin.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti po hetohet, ndërsa veprimet e tjera do të ndërmerren pasi të sigurohet prezenca e të dyshuarve.