“Familja Jashari, krijuese e UÇK-së”, flasin krerët e shtetit, vlerësojnë sakrificën e heronjëve per liri

Aktuale

“Familja Jashari, krijuese e UÇK-së”, flasin krerët e shtetit, vlerësojnë sakrificën e heronjëve per liri

Më: 6 mars 2025 Në ora: 07:28 Përditësuar në ora: 10:49 më 06.03.2025
Krerët e shtetit bëjnë homazhe në Prekaz

Konjufca në Prekaz: Familja Jashari, krijuese e UÇK-së- bëri aktin më të lartë, atë të sakrificës për liri

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca pas homazheve në Prekaz, ka thënë se Familja Jashari janë krijuese dhe esenca e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai është shprehur se kjo familje ka bërë aktin më të lartë, aktin më sublim të sakrificës për lirinë e vendin.

“Me çdo 5, 6 dhe 7 mars vijmë këtu të gjithë së bashku për t’u përkulur para varreve të Jasharëve të rënë në vitin 1998, për arsye se Familja Jashari është krijuese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është esenca e UÇK-së, e poashtu e ka bërë edhe aktin më të lartë, aktin më sublim të sakrificës për lirinë e vendin tonë”.

“Ata si familje e kanë pasur të mishëruar në zemrat dhe shpirtin e tyre një të vërtetë e cila e ka shpëtuar popullin e Kosovës, e kjo e vërtetë është se liria nuk fitohet pa armë në dorë, duke luftuar me armë në dorë dhe nuk fitohet pa i dhënë dëshmorët e vet. Kështu veproi Familja Jashari dhe për këtë arsye ne si komb, si popull i detyrohemi më së shumti për lirinë dhe për çlirimin e Republikës së Kosovës dhe Familjes Jashari”, u shpreh tutje Konjufca.

Epopeja e UÇK-së, Osmani: Sot na përkujtohet se sa i lartë ka qenë çmimi i paguar për liri

Me rastin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani bëri homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Atje, e para e vendit, para kamerave tha se kjo ditë përkujton sakrificën e të gjithë dëshmorëve e martirëve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës..

Osmani shtoi se kjo ditë më së shumti i kushtohet familjes Jashari.

“Si çdo vit, e përkujtojmë Epopenë e UÇK-së, e cila i dedikohet përkujtimit tonë të përbashkët në këtë kohë lirie, për secilin dëshmorë, për secilin hero, për secilin martirë që ka dhënë jetën për Kosovën, por mbi të gjitha i kushtohet sakrificës, guximit dhe trimërisë së pashoq të treguar nga familja Jashari më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në krye me komandantin legjendar Adem Jashari. Ata luftuan shumë më gjatë, sesa vetëm përgjatë viteve të luftës, duke u shndërruar kështu në emblemë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe njëkohësisht duke i shndërruar kullat e Jasharajve në simbol të një kalaje të lirisë, e cila edhe sot e mbron Kosovën, e mbron lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e saj”, tha ajo.

Tutje, Osmani thotë se asnjëherë nuk duhet të harrohet çmimi i lartë që pagoi Kosova për lirinë e saj.

“Nga këtu jo vetëm ne si breza që e përjetuam luftën, por edhe breza të rinj, edhe fëmijët tanë, inspirohen për rrugën përpara, për mbrojtjen e lirisë së arritur me sakrificë e me gjak, por mbi të gjitha na përkujtohet secilit se sa i lartë ka qenë çmimi i paguar për lirinë tonë, sepse përveç komandantit legjendar i cili luftoi së bashku me babanë e tij Shabanin, vëllanë Hamzën, dhe me shumë anëtarë të familjes, siç e dini, shumica e të rënëve nga familja Jashari ishin gra dhe fëmijë, që e bënë shumë më të madhe dhe më të shenjtë këtë sakrificë të familjes Jashari. Asnjëherë nuk duhet të harrojmë, asnjëherë nuk duhet të devijojmë nga rruga e shtruar nga kjo sakrificë e heronjve, dëshmorëve e martirëve. Gjithnjë kjo rrugë, dhe kjo sakrificë do të shërbejë për secilin prej nesh si dritë udhërrëfyese në forcimin e Kosovës, Kosovës e cila çdo ditë po bëhet më e fortë. Lavdi gjithë dëshmorëve të Kosovës, rr’noftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Republika e Kosovës për të cilën ata dhanë jetën”.

Epopeja e UÇK-së, krerët e shtetit bëjnë homazhe në Prekaz

Me rastin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krerët e shtetit sot bënë homazhe në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Të pranishëm ishin edhe shumë qytetarë.

Nuk mungoi as prezenca e fëmijëve të veshur me uniformën e UÇK-së.

Në Prekaz vendoset simboli me emrat e 1432 fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë

Sot në Prekaz është vendosur një simbol me emrat e 1432 fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Ëndrrat e secilit prej tyre u ndalën në gjysmë. Drejtësia për këta fëmijë ende nuk është arritur.

Nxënës të shkollave fillore në Kosovë edhe sot po vizitojnë Prekazin, si dhe këtë simbol ku kanë lexuar emrat e moshatarëve të tyre të vrarë gjatë luftës.

Image
Image

Krerët e shtetit sot bëjnë homazhe në Prekaz

Në kuadër të aktiviteteve shtetërore në shënim të 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, krerët e shtetit, sot në ditën e dytë të këtij manifestimi, do të bëjnë homazhe në Kompleksin memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Homazhe janë paraparë edhe nga të gjitha komunat e vendit dhe në të gjitha komplekset memorialë të dëshmorëve.

Nga ora 10:00, drejtues të institucioneve qendrore dhe lokale do të bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Kurse nga ora 17:00, në Prishtinë, është paraparë akademi përkujtimore për Epopenë e UÇK-së.

Të mërkurën Prekazi u vizitua nga shumë qytetarë të ardhur nga të gjitha viset shqiptare. Kurse, në Qeverinë e Kosovës është mbajtur mbledhje solemne për Epopenë e UÇK-së.

Gjithashtu një manifestim është mbajtur në kazermën 'Adem Jashari' në Prishtinë. Në të gjitha aktivitetet u vlerësua lartë sakrifica e familjes Jashari për lirinë e Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat