“Policia serbe na i ndërpriste ndeshjet”, rrëfimi i futbollistit që la topin për armën e lirisë

Aktuale

“Policia serbe na i ndërpriste ndeshjet”, rrëfimi i futbollistit që la topin për armën e lirisë

Më: 6 mars 2025 Në ora: 10:56
Gegë Lleshi.

Të luash futboll në vitet e 80-ta dhe 90-ta në Kosovë nuk ishte vetëm dëshirë e pasion por edhe përpjekje e sakrificë. Ata që kishin ëndrra të mëdha për t’u bërë futbollistë të njohur edhe në arenën ndërkombëtare pengoheshin e përndiqeshin në mënyrat më barbare nga okupatori serb.

Njëri nga ish-futbollistët që përjetoi gjithë këtë tmerr gjatë atyre viteve ishte Gegë Lleshi. Talenti i tij i madh për futbollin kishte rënë në sy të shumë klubeve që në moshën e tij të re, por siç tregon ai në një intervistë për KosovaPress, barrierat fillimisht nisën nga familja e tij pasi i kërkohej që “t’i kryente punët e shtëpisë”, e jo të “vraponte pas topit”.

Lleshi: Pengesën e parë e kisha në familje, nuk më lejonin të luaja futboll

“Shumë vështirë ka qenë por i kam kryer të gjitha punët e shtëpisë. Unë në atë kohë jam marrë me bujqësi, e kam pasur një detyrë nga prindi që ta kryej nëse dua të shkoj. Unë e kryeja atë për dy ose tri orë edhe pse duhej të kryhej për dy apo tri ditë, do të thotë për shkak të aftësive që kam pasur. Pra, gjithmonë duhet të aplikohej kjo formë për të depërtuar. Nuk na lejonin, ishte problem të depërtohej për t’u marrë me futboll në atë kohë... Edhe pse kemi pasur pengesa në familje unë në fund të fundit nuk i kam shikuar sepse doja të kapja synimin tim”, thotë fillimisht Lleshi.

Duke parë vështirësitë në Kosovë, Lleshi tregon se bashkë me vëllain e tij kaluan në Shqipëri me shpresën se do të gjente më shumë hapësirë dhe kushte më të mira për t’u marrë me futboll, por as atje, siç thotë ai, nuk ishte ndonjë situatë më e mirë dhe u detyrua të kthehej në Kosovë.

Karrierën e vazhdoi me klube të njohura kosovare si Ramiz Sadiku, Besa e Pejës, Vëllaznimi e 2 korriku deri në vitin 1995 por gjithmonë me pengesa të mëdha nga persekutimi i okupatorit serb.

Lleshi: Policia serbe na i ndërpriste ndeshjet, por ne nuk jemi dorëzuar kurrë

“Na kanë ndërprerë shumë në lojëra e në stërvitje me Besën e Pejës, me Vëllaznimin. Ne ushtronim ku ka qenë fusha e metalikut ku është përmendorja e Gjergj Kastriotit në Gjakovë. Aty në stërvitje na ndërprisnin kur luanim në Novosellën e Ulët në Gjakovë. Vinin policia, i merrnin (pajisjet) dhe na ndërprisnin. Shpeshherë kur kemi shkuar në Rahovec me Besën e Pejës na kanë ndërprerë disa herë dhe ka shumë raste të tjera por ato po harrohen. Normalisht ka qenë kohë shumë e vështirë por ne nuk jemi ndalur asnjëherë”, vijon më tutje Lleshi.

Ëndrra e madhe e Lleshit për t’u bërë futbollist i niveleve të larta evropiane ndërpritet në janarin e vitit 1998. Aty, Lleshi tregon se u desh të marrë vendimin më të rëndësishëm të jetës së tij, ta lë futbollin për të kapur armën për çlirimin e Kosovës, shkruan KosovaPress.

Lleshi: Vetëm çlirimi i Kosovës ishte arsye që mund të më ndante nga futbolli

“Këtu gjërat duhet të peshohen. Unë futbollin e kam dashur më shumë se çdo gjë, ndoshta edhe më shumë se veten e familjen, aq shumë e kam dashur. Vetëm lufta ose çlirimi i vendit ka mundur të më ndajë nga futbolli, askush tjetër, as familja, as martesa, as fëmijët, vetëm lufta më ka ndarë. Kur erdhi lufta i kam lënë të gjitha sepse më shumë ja vlen çlirimi që të paktën nëse ne nuk e arrijmë, fëmijët tanë të luajnë lirshëm e jo me padrejtësi siç është bërë ndaj nesh... Lufta ishte ajo që i ka dhënë fund 100 për qind ndryshimit se duhet lënë topin dhe kapur armën”, thekson Lleshi.

Synimi i tij madhor edhe u arrit. Kosova fitoi lirinë me sakrificën e madhe të popullit, por karriera e tij si futbollist më nuk pati shkëlqimin e duhur. Pas luftës, Lleshi vazhdoi me futbollin duke luajtur për Besën e Pejës deri në vitin 2005, aty ku e mbylli karrierën. Ëndrra e tij e madhe e ndalur në gjysmë ishte të luajë për Kombëtaren e Kosovës.

Lleshi: Kisha ëndërr të luaja për Kosovën, por liria para gjithçkaje

“Ajo nuk diskutohet, ku ka futbollist që nuk e ka ëndërr të luajë për kombëtare. Do të luaja me plot dëshirë, mundin e kam bërë gjithmonë por tani nuk ishte koha sepse atëherë ne luanim nëpër livadhe e ara. Për një lojë duhej të dilnim në Shqipëri ose në Mal të Zi ose në Maqedoni sepse nuk na lejonin. Në realitet ëndrra e një futbollisti siç kam qenë edhe unë, në rend të parë ka qenë liria e vendit, unë e kam parë edhe si student edhe si nxënës edhe si futbollist që nuk të duhet asnjëra pa liri”, deklaron Lleshi.

Lleshi ka folur edhe për bashkëpunimin e Shqipërisë me Serbinë për organizimin e Kampionatit Evropian U21 në vitin 2027 për të cilin ka theksuar se duhet të shihet nga ana sportive pasi siç thotë ai, sporti dhe politika nuk kanë asgjë të përbashkët.

Lleshi: Bashkëpunimi Shqipëri-Serbi të shihet në aspektin sportiv, jo politik

“Nuk duhet të politizohet, sporti nuk duhet të përzihet me politikë... As mua nuk ke ma ardhur mirë, por ne duhet të bashkohemi mes vete e jo të përçahemi. Ne kemi luftuar me regjimin e Millosheviqit, nuk do të thotë që ne duhet tani çdo gjë të urrejmë, kur e them unë se jam veteran i luftës dhe kam dy vëllezër të vrarë, djalin e axhës e shumë shokë, por ne duhet të ofrohemi mes vete por jo ta lëmë atë të përzihet në punët e mia”, thotë në fund Lleshi, derisa tregon se ka luajtur edhe me futbollistë serbë.

Në fund Lleshi ka kërkuar që Federata e Futbollit të Kosovës por edhe Ministria e Sportit të fokusojnë punën e tyre më shumë tek talentët e futbollit dhe të sporteve të tjera duke thënë se me këto grupmosha nuk po punohet aspak dhe kjo po bën që Kosova të mos ketë suksese të mira në evenimentet ndërkombëtare sportive.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat