Bytyçi: Kosova është e mbrojtur dhe do të jetë akoma më shumë në të ardhmen

Aktuale

Bytyçi: Kosova është e mbrojtur dhe do të jetë akoma më shumë në të ardhmen

Nga: Bota sot Më: 6 mars 2025 Në ora: 12:31
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, konsideron se Kosova dhe Ukraina janë dy raste të ndryshme.

Ai përmend arsyet historike që vendet ndryshojnë nga njëra- tjetra.

“Kosova dhe Ukraina janë dy raste të ndryshme. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran që prej 17 shkurtit 2008, ndërsa Ukraina është shkëputur nga BRSS në vitin 1992. Të dyja në kufijtë që kishin trashëguar nga federatat ku bënin pjesë. Por Ukraina është njohur nga Këshilli i Sigurimit dhe OKB, ndërsa Kosova ende jo. Kjo ka ndodhur pasi që Rusia ka kundërshtuar ta votojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kosova u krijua si shtet pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Ukraina pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Por në Kosovë ndodhi një genocid serb kundër popullsisë së saj shumicë absolute, shqiptarëve. Në Ukrainë nuk kishte ndodhur kjo. Kosova është shtet i pavarur për shkak të shpërbërjes së Federatës Jugosllave me pavarësimin e Malit të Zi, Ukraina si produkt i shpërbërjes së BS. Por ndryshe nga Ukraina Kosova është pavarësuar edhe për shkak të gjenocidit serb. Mos harrojmë: - Gjenocidi i Hitlerit kundër Hebrejve çoi në krijimin e shtetit të Izraelit në një tokë të falur me vendim të KS të OKB-së. Kjo pati ndodhur në vitin 1948. Për pasojë gjenocidi serb do të çonte në krijimin e shtetit të Kosovës.

Me këto që thashë dua të shpjegoj se dhuna e terrori dhe krimet kundër njerëzimit janë shkak i mjaftueshëm për krijimin e një shteti, në rastin konkret të Kosovës. Dhe ky fakt vetëm sa e forcon identitetin e shtetit në fjalë”, shprehet Bytyçi.

Historia e Ukrainës dhe e Kosovës është sa e ngjashme, aq edhe e ndryshme, thotë Bytyçi, gjersa shton se Kosova është nën mbrojtjen e NATO-s dhe KFOR-it, ndërsa Ukraina ishte e pambrojtur.

Sipas tij, është momenti që luftës në Ukrainë t’i jepet fund dhe nëse ajo e ha presionin e Uashingtonit dhe Moskës, atëherë është vetë fajtore për zgjidhjen.

 “Historia e Ukrainës dhe e Kosovës është sa e ngjashme, aq edhe e ndryshme. Por Ukraina ka në kufi një superfuqi atomike dhe ushtarake. Kosova ka në kufi ish-agresorin e saj gjenocidues, Serbinë, e cila është fuqia ushtarake e rajonit, por jo e papërballueshme nga ana e Kosovës dhe e shqiptarëve. Në Ukrainë nuk kishte në rastin e sulmit ushtarak të Rusisë ushtarë të NATO-s. Kosova është nën mbrojtjen e NATO-s dhe KFOR-it. Ukraina ishte e pambrojtur. Kosova është e mbrojtur dhe do të jetë akoma më shumë në të ardhmen. Megjithatë lufta e Ukrainës u bë model frymëzimi edhe për Kosovën. Sepse shqiptarët thanë “Kur ukrainasit përballuan kaq vite agresionin rus, atëherë pse shqiptarët nuk qenkan të zotët të përballojnë dhe zmbrapsin një sulm të mundshëm të Serbisë?!”

 “Tani ka ardhur momenti që luftës në Ukrainë t’i jepet fund. Duket qartë se Donald Trump ka vendosur ta bëjë këtë në bisedime direkte me Vladimir Putin. A do të thotë kjo se ata të dy do të marrin një vendim kundër Ukrainës, pa e pyetur atë si viktimë?! A do të thotë kjo se presidenti Trump do t’i japë gjithçka, edhe territore të Ukrainës?! Unë mendoj se gjithçka që shohim të flitet e të bëhet është në kuadër të një presioni ndaj Ukrainës, si pala më e dobët e konfliktit. Vendimmarrja është një përgjegjësi shumë e madhe dhe që nuk ka të bëjë me këtë presion. Nëse Ukraina e ha presionin e Uashingtonit dhe Moskës, atëherë është vetë ajo fajtore për zgjidhjen. Por nëse ajo nuk e pranon një zgjidhje të padrejtë dhe të imponuar, atëherë askush nuk mund të imponojë një vendimmarrje për të. Sepse do të përgatitej një konflikt dhe luftë edhe më e madhe se kjo e sotmja”, shprehet profesori.

Nëse Trump ka projekt ndarjen e Kosovës dhe këtë e pranon një Hashim Thaçi tjetër pas tij, atëherë sipas Bytyçit, nuk është faji i presidentit amerikan, por i lidershipit të Kosovës.

“E njëjta gjë duhet thënë edhe për Kosovën. Nëse Trump ka në projekt ndarjen e Kosovës dhe këtë e pranon një Hashim Thaçi tjetër pas atij, atëherë nuk është faji i presidentit amerikan. Është faji i lidershipit të Kosovës. Nëse Trump thotë të ndahet Kosova, kjo nuk përbën tradhti për atë. Tradhti është kur lidershipi i Kosovës pajtohet me humbjen e territoreve dhe pasurve të vendit. Unë nuk besoj se presidenti amerikan do të intervenojë për ta dëmtuar shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Këtë frymë nuk e pashë në letrën e urimit që ai i drejtoi presidentes Osmani me rastin e 17 vjetorit të pavarësisë së saj.

Por nëse do të tentohet kjo, pra nëse do të ketë përpjekje për t’i imponuar Kosovën një zgjidhje që cenon sovranitetin dhe shtetësinë, atëherë do të duhet që lidershipi i Kosovës të kundërshtojë çdo opsion të tillë. Por para se të ndodhë kjo, është e domosdoshme të ndërtohet një platformë e re me opsione të reja të zgjidhjes përfundimtare dhe njohjes së plotë ndërkombëtare të Kosovës”, pohon profesori.

Ai variant më të keq e sheh përpjekjen për ndarjen e Kosovës, por sipas tij, këtë nuk duhet ta nënshkruajë asnjë politikan shqiptar.

“Politika e Trump është politikë e biznesit. Ndoshta përmes opsioneve në këtë fushë mund të neutralizohet çdo përpjekje për ta shkatërruar shtetin e Kosovës. Por le të supozojmë variantin më të keq, përpjekjen për ndarjen e Kosovës. Atëherë nuk duhet të gjendet asnjë politikan shqiptar që e nënshkruan këtë. Madje duhet paralajmëruar se Kosova do të mobilizohet të mbrojë territorin e saj me luftë.  Ka dhe do të ketë fuqi evropiane që do të gjenden në krah të Kosovës. Dhe kjo do të bëjë që të mendohet shumë kushdo që beson se mund ta ndajë territorin e Kosovës. Fatmirësisht tashmë, pas Banjskës, askush në botë nuk mund të thotë se veriu i Kosovës “nuk mund të administrohet nga institucionet e Kosovës e nuk mund të mbrohet prej saj”! Lufta e Vlorës e shpëtoi Shqipërinë në vitin 1920 nga ri copëtimi, për t’ia dhënë jugun e saj Greqisë. Banjska e ka shpëtuar Kosovën nga ndarja e saj”, përfundon Bytyçi.  

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat