​Zyrtarë të LDK-së bëjnë homazhe në Prekaz, Abdixhiku: Nderojmë sakrificën e familjes Jashari

Aktuale

​Zyrtarë të LDK-së bëjnë homazhe në Prekaz, Abdixhiku: Nderojmë sakrificën e familjes Jashari

Më: 6 mars 2025 Në ora: 12:59
Foto ilustrim

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në shënim të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka vlerësuar sakrificën sublime të familjes Jashari, duke theksuar se qëndresa e tyre është themeli i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, raporton KosovaPress.

Ndërsa ka vizituar edhe kullën e Jasharëve.

Abdixhiku: Në 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së nderojmë sakrificën e familjes Jashari

"Sot në 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së nderojmë sakrificën e familjes Jashari dhe të komandantit legjendar, Adem Jashari dhe mbi këtë sakrificë kujtojmë dhe vet themelin e lirisë, pavarësisë dhe vet Republikës së Kosovës falë mbrojtjes së pragut të shtëpisë si simbol i qëndresës së popullit shqiptar, falë sakrificës së Jasharëve, falë sakrificës së martirëve e të rënëve të UÇK-së, dhe prapa kësaj lirie do të sillemi gjithmonë me përgjegjësi", tha Abdixhiku.

Ndërkohë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama ka bërë homazhe në Prekaz dhe ka vlerësuar lartë kontributin e familjes Jashari për liri e pavarësi.

Rama: Ishim bashkë të nderojmë familjen legjendare

"Ishim bashkë të nderojmë familjen legjendare, komandantin legjendar, Adem Jashari. Po ashtu ishim edhe te Baca Rifat të nderojmë e falënderojmë për gjithëçka që familja Jashari ka dhënë për këtë vendin tonë, lirinë, demokracinë, për paqen te cilën e gëzojmë sot të gjithë ne. Ishte kënaqësi të shohim gjithë ata fëmijë që ishin sot këtu në Prekaz në këtë ditë të mrekullueshme, që mësojnë për të kaluarën tonë dhe në këtë mënyrë e nderojmë të kaluarën, dhe planifikojmë së bashku për të ardhmen e të gjithëve", tha Rama.

Jasharët, zhvilluan rezistencë më 5, 6 dhe 7 mars, ku u përballën me forcat serbe, më 1998. Ai ishte sulmi i tretë ndaj tyre por që mori jetën e 55 personave – 22 prej të cilëve ishin të familjes së ngushtë të Adem Jasharit.

Pesë, gjashtë dhe shtatë marsi shënon Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – manifestim që mbledh në Prekaz qytetarë, organizata e përfaqësues të institucioneve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat