Gërvalla: Nga gjaku i Jasharajve lindi liria e Kosovës

Aktuale

Gërvalla: Nga gjaku i Jasharajve lindi liria e Kosovës

Më: 6 mars 2025 Në ora: 14:03
Foto nga takimi

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se 5, 6 dhe 7 marsi të vitit 1998 janë tri ditë që shkruan historinë e Epopesë heroikë të UÇK-së.

Gërvalla tha se viti 1998 në njërën anë qëndronte krenare familja legjendare Jashari, ndërsa përballë tyre, një makineri e tërë lufte e regjimit gjenocidal të Millosheviçit.

“Në marsin e vitit 1998, mu në zemër të Kosovës, aty në Prekazin e heroizmit e të kushtrimit për çlirim, u shkrua epopeja më e lavdishme e Kosovës së lirë. Në njërën anë qëndronte krenare familja legjendare Jashari, ndërsa përballë tyre, një makineri e tërë lufte e regjimit gjenocidal të Millosheviçit, e etur të shfaroste çdo shenjë jete që kundërshtonte robërinë, tiraninë e nënshtrimin, veç pse ishin shqiptarë.Kur tanket, granatat dhe forcat speciale serbe rrethuan kullën e Jasharajve, ata nuk u trembën por vendosen të qëndrojnë. Qëndruan për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre”, shkroi ajo në Facebook.

Madje ajo tha se nga gjaku i Jasharajve ka lindur liria e Kosovës, ku nga sakrifica e tyre Kosova mori forcën për të ecur përpara.

“Nga gjaku i Jasharajve lindi liria jonë, nga sakrifica e tyre ne morëm forcën për të ecur përpara. Prekazi le të mbetet përherë monumenti i lirisë e toka e shenjtë ku çdo shqiptar përkulet me kurrizin drejt e ballin lart, me shpirtin e lirë e me zemrën plot”, theksoi Gërvalla.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat