Adnan Merovcit, një figurë kyçe dhe bashkëpunëtor i afërt i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, ishte i ftuar në Euronews Albania për të folur për atë çfarë Kosova ka përkujtuar 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së.
Gjatë bisedës, Merovcit ka ndarë detaje të fjalëve të fundit të komandantit Adem Jashari.
“Qendrat e Informimit në Kosovë kanë njoftuar Ademin Jasharin në telefon që po vijnë serbët me tanke dhe Ademi u ka thënë: “Na qoftë për hajr lufta”.
Telefoni ka qenë aktiv derisa kanë plasur bombat, ky është komunikimi i fundit i tij. Këto informacione vinë prej njerëzve që kanë qenë të angazhuar dhe kanë parë ngjarjet e tilla. Kanë qenë 5 mijë njerëz të angazhuar nga institucione të ndryshme për informim dhe informacione të cilat janë shpërndarë në botë.
Ato ditë ka qenë rrëmujë e madhe dhe çdo herë Ibrahim Rugova ka qenë i informuar edhe pse Prekazi ka qenë një vend i hermetizuar me tanke dhe automjete të blinduara”, shpjegoi Adnan Merovcit.
Ndër të tjera, ai tha se ka pasur një relatë personale me Ademin, një afërsi të ngushtë pasi ai ishte mik me komandantin legjendar në shkollën e Mesme.