Kosova ka qenë të enjten nikoqire e takimit të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s, si kryesuese e këtij mekanizmi rajonal në vitin 2025, raporton KosovaPress.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, tha se, Kosova u përfaqësua në CEFTA si palë e barabartë, pa praninë e UNMIK-ut, kësisoj duke shënuar “një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar dhe forcimit të rolit në proceset ekonomike rajonale”.
Ajo tha se Kosova do të ketë një kryesim aktiv, me synim arritjen e zbatimit të suksesshëm të vendimeve të CEFTA-s të miratuara në vitin e kaluar, dhe zhvillimet e mëtejshme në lidhje me marrëveshjen CEFTA, si dhe të sigurojë zbatimin e masave të CEFTA-s në kuadër të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2 të Procesit të Berlinit.
Hajdari: Kosova u përfaqësua në CEFTA si palë e barabartë
“Në vitin e kaluar në Berlin kryeministrat e rajonit te Ballkanit Perëndimor, miratuan një plan ambicioz veprimi dhe CEFTA do të luajë një rol të rëndësishëm ne zbatimin e këtij plani. Sot në takim i sigurova palët anëtarë të CEFTA se Kosova do të ketë një kryesim aktiv, me synim arritjen e zbatimit të suksesshëm te vendimeve të CEFTA-s të miratuara në vitin e kaluar, dhe zhvillimet e mëtejshme në lidhje me marrëveshjen CEFTA, si dhe të sigurojë zbatimin e masave të CEFTA-s në kuadër të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2 (CRM2).Po ashtu ofruam mbështetjen tonë me një frymë konstruktive të bashkëpunimit ne ftesë për bashkëpunim për të arritur objektivat tona te përbashkëta për zgjerimin e tregtisë rajonale të mallrave dhe shërbimeve, krijimin e një mjedisi tërheqës për investime dhe kontributin në zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin brenda palëve”, tha ajo.
Ndërkaq, David Hudson nga Komisioni Evropian, që ishte pjesë e takimit të sotëm të vendeve të CEFTA-s, tha se ky mekanizëm synon të sjell benefite te bizneset dhe konsumatorët vendorë.
Ai e mirëpriti edhe dakordimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të ecur përpara drejt tregut të përbashkët rajonal, raporton KosovaPress.
Hudson: CEFTA nuk është një marrëveshje burokrate por një marrëveshje që sjell benefite
“Kemi arritur disa progrese në këtë vit. Kjo është me rëndësi pasi CEFTA nuk është një marrëveshje burokrate por një marrëveshje që sjell benefite te bizneset dhe konsumatorët tonë. Mënyra e bashkëpunimit në kuadër të CEFTA-s orientohen në mënyrën e bashkëpunimit të BE-së, ku i njëjti duhet të jetë konstruktiv. Ne shpresojmë që duke integruar ekonominë rajonale dhe pastaj në atë të BE-së të dyfishohen të ardhurat për person të shteteve anëtare. Sot ka qenë shkalla e parë për të arritur këtë dhe shpresojmë që të arrihet edhe të tjera”, shtoi ai.
Në anën tjetër, ministrja në detyrë, Rozeta Hajdari, duke i prezantuar objektivat dhe prioritetet e arritura në këtë mbledhje, tha se në takimin e sotëm morën pjesë të gjithë përfaqësuesit e shteteve rajonale, përfshirë edhe Serbinë e cila u përfaqësua online, raporton KosovaPress.
Hajdari: Këto janë prioritetet e dakorduara për CEFTA-në gjatë kryesimit të Kosovës
“Në kuadër të njohjes së kontrolleve doganore, është me rendësi të madhe që së bashku të pranohet njohja reciproke e imazheve te skanerit, te dhënave për peshën e kamionit/kargos, deklaratave te parave të gatshme dhe vulave te sigurisë doganore. Kjo jo vetëm që do te lehtësojë tregtinë, por edhe do të rrisë besimin mes njëri-tjetrit. Prandaj ne do të krijojmë gjithashtu një Trup Këshillimor të CEFTA-s për Bashkëpunimin Doganor, duke punuar drejt krijimit të një mjedisi të sigurt dhe te parashikueshëm për bizneset, duke i lejuar ata të planifikojnë në mënyrë efikase kostot e tyre paraprakisht pa hasur më ndonjë surprizë të paplanifikuar gjatë procedurave të importit dhe eksportit”, tha ajo.
Kosova që nga tetori i vitit 2024 përfaqësohet nga institucionet e saj, pa prezencën e UNMIK./