Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, zyrtari policor Safet Lahu, në cilësinë e dëshmitarit ka thënë se gjatë protestës së 12 tetorit 2015, turma e protestueseve ka përdorur shumë gurë, ngjyra të ndryshme, drunj e pjesë të hekurit, mjete këto mjete që janë hedhur në drejtim të zyrtarëve policorë.
Në këtë rast, Ylli Hoxha, Premton Iberdemaj, Uran Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj akuzohen se në tetor të vitit 2015, gjatë një proteste, u kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore dy policëve dhe kishin dëmtuar pronat e disa institucioneve, në vlerë prej 20 mijë eurosh.
Dëshmitari Lahu tha se qëllimi i tyre si policë ka qenë që të shpërndajnë protestuesit e dhunshëm.
“Më pas kemi kalur në pjesën e sheshit ‘Nënë Tereza’, ku disa persona kanë filluar me ofendime drejtuar togut tonë dhe kemi marrë urdhër që t’i arrestojmë ata persona”, ka thënë Lahu.
Po ashtu, ai ka deklarur se gjithsej kishin arrestuar katër persona, ku njërit prej tyre i ishte gjetur një thikë në xhep.
“Nuk e mbaj mend kush ka qenë, por më kujtohet vetëm mbiemri Kaqorraj”, tha Lahu.
Gjithashtu, në këtë seancë është dëgjuar edhe zyrtari policor Gani Obrazhda në cilësinë e dëshmitarit, i cili tha se protestuesit kanë qenë të dhunshëm dhe se zyrtarët policorë janë munduar që me metoda të tyre ta menaxhojnë situatën, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Obrazhda tha se e mban mend që gjatë intervistimit e kanë arrestuar një person, pasi që e kanë identifikuar se ka gjuajtur me mjete të ndryshme. Tha se nuk ka pasur mjet identifikimi por në bazë të një ID të fakultetit, e kanë identifikuar me emrin Uran Hasani.
Sipas ij, të akuzuarin Uran Hasani e kanë evidentuar si person që ka hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të zyrtarëve policorë dhe objekteve të policisë dhe se e kanë arrestuar tek ish- ndërtesa e objektit të Prokurorisë.
Paraprakisht, në këtë seancë është dëgjuar edhe i dëmtuari Sami Hoti, në cilësinë e dëshmitarit, i cili në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Armend Loshaj, avokatit Martin Komani, dëshmitari tha se nuk e njeh të akuzuarin Loshaj.
Ai tha se mund të identifikojë vetëm dy nga të akuzuarit dhe ata janë Ylli Hoxha dhe Premton Ibërdemaj.
Në këtë seancë është bërë edhe veçimi i procedurës për të akuzuarin Arbër Kaqorraj, për të cilin Gjykata tha se përmes një parashtrese, mbrojtësi i tij, avokati Gazmend Lokaj, e ka njoftuar se i mbrojturi i tij është në Zvicër dhe për një kohë nuk do të kthehet në Kosovë.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 24 dhjetor 2015, Premton Iberdemaj, Ylli Hoxha, Uran Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj akuzohen se më 12 tetor 2015, kanë marrë pjesë në turmën e mbledhur dhe kishin gjuajtur me gurë dhe gjësende të forta në drejtim të policisë, të cilët kishin qenë duke parandaluar rrezikun ndaj qytetarëve dhe duke mbajtur rendin dhe qetësinë publike.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin ndezur kontejnerët e mbeturinave dhe i kishin zhvendosur për gjatë rrugës, pastaj kontejnerët e ndezur i kishin shtyrë në drejtim të kordonëve policore, kishin hedhur koktej të molotovit, ku kishin vënë zjarrin automjeteve zyrtare, kishin gjuajtur gurë dhe gjësende të forta në drejtim të Stacionit Policor Qendra, kishin thyer xhamat e dritareve, kishin dëmtuar kornizat e dritareve, kishin dëmtuar inventarin brenda zyrave, si dhe kishin dëmtuar fasadën e këtij objekti.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kishin djegur një automjet zyrtar dhe kishin dëmtuar 7 automjete zyrtare, si dhe u kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore zyrtarëve policorë Pajtim Kryeziu dhe Fahredin Veliu dhe i kishin shkaktuar dëm në vlerë prej 20 mijë euro institucioneve si: Stacionit Policor Qendra, Zyrës së Prokurorit Disiplinor, KQZ-së, Selisë së PDK-së dhe KRM ”Pastrimi”, në Prishtinë.
Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, nga neni 412, par.1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.