Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Kosova nuk mund të harrojë Epopenë e UÇK-së dhe luftën çlirimtare, në mënyrë që të ardhmen ta ketë më të sigurt.
Në akademinë përkujtimore për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kurti tha se s’mund të ketë pajtim me Serbinë derisa ajo, jo vetëm që nuk kërkon falje, mirëpo zotohet se do të përsërisë gjenocidin ndaj Kosovës porsa t’i vije rasti.
Kurti: S’mund të ketë pajtim me Serbinë, derisa ajo zotohet se do të përsërisë gjenocidin ndaj Kosovës porsa t’i vjen rasti
“Ndonjë herë na thuhet të mos shikojmë pas por vetëm përpara, drejt së ardhmes së përbashkët, si ajo shprehja ‘të shkuara, të harruara’, që e thonë ata që duhen të pajtohen. Mirëpo si mund të ketë pajtim pa pranim të fajit? Si mund të ketë falje nga ana e viktimës kur agresori jo vetëm që nuk kërkon falje por zotohet se do të përsërisë krimin në rastin më të parë që do t’i jepet. Serbia nuk është shëruar le ta quajmë kompleksit të Kosovës që e ka çuar atë t’i shkaktojë disa gjenocide, jo vetëm në tokën tonë por edhe vende të tjera të Ballkanit. Serbia është shteti më i armatosur në rajonin tonë, aleati më i ngushtë i Rusisë që Kosovën e quan sepse dëshiron pjesë të territorit të saj shtetëror. Mban baza të përparme ofensive të ushtrisë pranë kufirit me vendin tonë. Ajo ndërmerr sulme terroriste, sabotime, teksa strukturat paralele ilegale në Kosovë ia kemi mbyllur ose shporrur. Ne kemi detyrë të kujtojmë. Ne nuk mund të harrojmë luftën çlirimtare, as viktimat civile dhe posaçërisht Epopenë e UÇK-së pikërisht për të mos u kthyer në të kaluarën. Duke mos harruar të kaluarën, ne kemi të ardhmen e sigurt”, tha Kurti.
Ai shtoi se rënia heroike e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe flijimi i anëtarëve të familjes Jashari në mars të vitit 1998, mobilizoi shqiptarët në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai tha se Adem Jashari dhe UÇK-ja janë të pashkëputura nga njeri-tjetri, raporton KosovaPress.
Kurti: Adem Jashari dhe UÇK-ja janë të pashkëputura nga njeri-tjetri
“Rënia heroike e Adem Jasharit dhe flijimi i 52 anëtarëve të dy gjinive prej Blerinës shtatë vjeçare, dhe deri tek Shabani 72 vjeçar, ishte si një shok elektrizues që përshkojë të gjitha qelizat e trupit të popullit shqiptarë. Përkundër efektit terrorizues që synonte Serbia, rezultati ishte mobilizimi masiv dhe i menjëhershëm i shqiptarëve në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deri atëherë nuk njihej mjaftueshëm por prej atëherë emri i Adem Jasharit dhe ai i UÇK-së u bë i njohur për të gjithë dhe sinonim i njëri-tjetrit. Për të gjithë brenda vendit e po ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Adem Jashari kryekomandanti i UÇK-së dhe UÇK-ja e kryekomandantit Adem Jashari. Të tillë të pashkëputur nga njëri tjetri mbeten përjetë”, theksoi Kurti.
Megjithatë, Kurti tha se fatkeqësisht luftërat nuk i takojnë vetëm të kaluarës, pasi ato janë rikthyer në këtë shekull në kontinentin evropian.
Andaj, kreu qeveritar theksoi nevojën e fuqizimit të FSK-së pasi rreziku i një agresioni ushtarak është jo larg kufijve të vendit, shkruan KosovaPress.
Kurti: Rrezikun e një agresioni ushtarak e kemi jo larg kufijve tanë
“Fatkeqësisht luftërat nuk i takojnë vetëm të kaluarës, ato janë rikthyer në këtë shekull në kontinentin evropian. Në kohën kur shtetet e kontinentit tonë po investojmë më shumë përgatitje ushtarake edhe ne në Kosovë që luftën e përjetuam në të shkuarën e afërt dhe që rrezikun e një agresioni ushtarak e kemi jo larg kufijve tanë. Po punojmë për pajisjen e FSK-së me armatim modern dhe për stërvitjen e saj sipas artit bashkëkohorë ushtarakë”, theksoi Kurti.
E në emër të familjes Jashari, Marigona, vajza e kryekomandantit legjendar Adem Jashari, tha se Epopeja e marsit tregon sesi jeta flijohet për liri.
Ajo me fjalë emocionuese foli për kontributin e grave në luftën e Kosovës për çlirim, shkruan KosovaPress.
Jashari: Epopeja e marsit tregon sesi jeta flijohet për liri
“Epopeja e marsit, të cilën e përkujtojmë sot mblodhi të gjithë vëmendjen dhe shpresën e kombit në një vend ku jeta flijohej për lirinë. Në një vend, në radhët e atyre që mbronin dinjitetin kombëtar nuk u ndalën më. E kaluara jone veçohet nga angazhimi i të gjitha formave për lirinë. Në këtë rrugë të gjatë e plot vuajtje dhe heroizëm, kontribut të jashtëzakonshëm kanë dhënë edhe vajzat dhe gratë shqiptare. Në këtë rast të kujtojmë të gjithë luftëtaret e luftërave për çlirim. Kujtojmë Shotë Galicën, kujtojmë studentet në protestat e vitit 1981. Kujtojmë Xhevë Lladrovcin e luftëtaret e UÇK-së. Kontributin e nënave tona. Në këtë fjalë të shkurtër, me qëllim theksova kontributin e gruas, ndonjëherë sikur harrojmë kontributin gjatë historisë. Kjo traditë vazhdoi edhe në Epopenë e Marsit, ku anëtarët e familjes e lagjes Jashari, u flijuan për lirinë për kombin...Është thënë se që nga koha e Skënderbeut për në mbrojtjen e atdheut, vajzat dhe gratë shqiptare ishin krah i çështjes kombëtare. Kjo traditë duhet të kujtohet dhe kultivohet”, tha ajo