Rrezik i një agresioni ushtarak për Kosovën?

Aktuale

Rrezik i një agresioni ushtarak për Kosovën?

Më: 8 mars 2025 Në ora: 20:58
Foto ilustrim

Shefi ekzekutivit, në ditët e Epopesë së UÇK-së, vuri në theks rrezikun e agresionit ushtarak.

“Në kohën kur shtetet e kontinentit tonë po investojnë më shumë në pajisje dhe përgatitje ushtarake, edhe ne në Kosovë, që luftën e përjetuam e mbijetuam në të shkuarën e afërt dhe që rrezikun e një agresioni të hapur ushtarak e kemi jo larg kufijve tanë, po punojmë për pajisjen e FSK-së me armatim modern”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kjo deklaratë, konsiderohet se është si mesazh për aleatët tanë që ta rrisin vigjilencën.

“Ka pasë si qëllim kryesor t’i njoftojë alencën veriatlantike që të kenë kujdes të shtuar dhe të përgatiten, të vëzhgojnë situatën e rrethanat në tërësi, të lëvizjes së Serbisë, sepse kemi të bëjmë më një shtet që vazhdimisht tenton në mënyrë agresive që të sulojmë jo vetëm veriun, por Kosovën dhe shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor”, thotë njohësi i sigurisë, Refki Morina.

Rreziku vlerësohet se i referohet shtetit serb, e që sipas Bedri Elezit, kjo vjen pas trazirave të brendshmë që po ndodhin në Serbi.

“Serbia siç duket ka një plan sekret, për të shkaktuar trazira brenda saj në mënyrë që të deklarojë se nuk ka kontroll në vende të caktuara dhe personat apo grupet të cilët janë të trajnuar më parë në dy baza ta ndryshme të Serbisë afër territorit të Kosovës, të bëjnë domethënë veprime të kundërligjshme dhe jo sigurie në territorin e Kosovës, nën arsye se Serbia nuk ka kontroll për shkak të situatës që e ka atje”, tha Elezi si njohës i sigurisë.

Disa herë gjatë vitit të kaluar, kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani, ngritën shqetësimin për konflikt të ri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat