Koalicionet politike në Kosovë vazhdojnë të jenë pika kyçe e debateve dhe vendimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e vendit.
Ish-veprimtari i LDK-së, Halil Gaci thotë se bashkëpunimi me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Listën Serbe, përfaqëson një rrugë drejt fundosjes politike.
Tutje, thotë se historia ka treguar se ata që kanë hyrë në aleanca të tilla janë dënuar me humbje dhe dobësim politik.
Postimi i plotë:
KOALICIONI ME PDK DHE LISTËN SERBE – RRUGË DREJT FUNDSJES POLITIKE
E ardhmja politike u takon atyre që mbajnë qëndrim të qartë
Prej vitesh kam theksuar se kushdo që hyn në koalicion dhe përzihet me Listën Serbe dhe PDK-në e SHIK-ut, e ka të garantuar fundosjen politike. Këtë e ka vërtetuar vetë realiteti politik i dy dekadave të fundit, i ndërtuar mbi politikën përçarëse të Hashim Thaçit.
Amaneti i Ibrahim Rugovës ishte i qartë: “Hashimi duhet mbajtur larg politikës!”. Nuk ishte një deklaratë e rastësishme, por një paralajmërim i bazuar në informata serioze nga aleatët tanë ndërkombëtarë. Amerikanët e kishin paralajmëruar Rugovën se Thaçi kishte lidhje me një shërbim evropian të Francës, i cili ishte i ndërlidhur ngushtë me BIA-n serbe.
Fatkeqësisht, brenda LDK-së nuk u tregua besnikëri ndaj vizionit dhe amanetit të Rugovës. Përkundrazi, drejtuesit e partisë, në vend që të ruanin pastërtinë e saj, mblodhën rreth vetes të gjithë kundërshtarët politikë të Rugovës, duke e dobësuar atë nga brenda. Ata ishin të njëjtët që, ende pa vdekur Rugova, tentuan ta marrin partinë në dorë dhe ia dolën.
Sot, LDK është peng i strukturave të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit. Këto struktura e kanë kapur kryesinë dhe, për sa kohë që mbeten në pushtet, nuk ka gjasa që LDK të ringrihet.
Prandaj, kushdo që sot bën koalicion me PDK-në e SHIK-ut dhe Listën Serbe, është i destinuar për disfatë. Këto forca politike kanë qenë dhe mbeten instrumente të ndikimit të Beogradit dhe shërbimeve të huaja që nuk e duan fuqizimin e shtetit të Kosovës.
Në të kundërt, kushdo që bashkohet me Vetëvendosjen do të forcohet politikisht dhe në zgjedhjet e ardhshme do të dalë më i fuqishëm se kurrë më parë. Populli nuk harron dhe do ta shpërblejë me mbështetje atë që mban qëndrim të drejtë dhe të palëkundur ndaj interesave kombëtare.
Neser: KOALICIONI I TRADHTISË – PËRPJEKJA E FUNDIT E OPOZITËS PËR TË SHITUR DARDANINË