“Vuçiqi përmes Radoiçiqit ndërhyri në zgjedhjet tona”, Kurti jep detaje: Ja çfarë metodash përdori Serbia

Aktuale

“Vuçiqi përmes Radoiçiqit ndërhyri në zgjedhjet tona”, Kurti jep detaje: Ja çfarë metodash përdori Serbia

Më: 9 mars 2025 Në ora: 09:32 Përditësuar në ora: 12:52 më 09.03.2025
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

A do të jenë pakicat pjesë e qeverisë? Ja si përgjigjet Kurti

Kryeministri Albin Kurti në konferencën për media është pyetur nga gazetarët nëse do të bashkëpunoj me ministrin aktual Nenad Rashiq dhe pakicat tjera për formimin e qeverisë.

Kurti u shpreh pozitiv derisa tha se do të bashkëpunoj edhe me ministrin Rashiq dhe pakicat tjera.

“Ne bashkëpunojmë edhe me pakicat e tjera dhe synojmë që në mandatin tonë të ardhshëm qeveritar me mua si kryeministër, t’i kemi edhe ata në mazhorancën tonë e në kabinetin qeveritar”, tha ai.

Kurti e quajti Rashiqin “ministër shembull” dhe tha se ai ka punuar shumë për qytetarët serbë të Kosovës.

“Ne bashkëpunojmë me pakicat në Kosovë, me të gjitha ato që duan të kontribuojnë, të përfitojnë, të integrohen. Pa dyshim që ministri Rashiq është ministër shembull i qeverisë sonë por edhe është ministri që ka kontribuuar për komunitetin serb më shumë sesa cilido ministër tjetër në këtë pozitë para tij”, tha Kurti

Kurti godet opozitën për certifikimin e Listës Serbe: I shihi çfarë partish opozitare i kemi, fatkeqësisht

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit është ndërhyrje në sovranitet dhe demokraci të vendit.

Përkundër kësaj ndërhyrjeje, Kurti tha se “rreth 20% e votuesve serbë kanë votuar parti tjera nga Lista Serbe”.

Megjithatë, sipas tij, Lista Serbe nuk do të duhej fare të certifikohej për këto zgjedhje, duke akuzuar partitë opozitare.

 “Tash ka qenë koha që Lista Serbe ta marrë mësimin duke mos e leju certifikimin e saj. Por i shihni çfarë partish opozitare i kemi, fatkeqësisht. As për këtë gjë nuk kanë mundur të mbajnë qëndrim parimor.” – tha Kurti.

Kurti: Rashiq u shantazhua në forma të ndryshme për t’ia dëmtuar reputacionin te votuesit serbë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ministri për Komunitete dhe Kthim është shantazhuar nga kryeterroristi i Banjskës, Milan Radojçiq, dhe njerëz të afërt të tij.

Sipas Kurtit Rashiq është shantazhuar në forma të ndryshme me qëllim që t’i dëmtohet reputacioni te votuesit serbë.

“Ministri për Komunitete dhe Kthim Nenad Rashiq në vazhdimësi është kërcënuar nga Milan Radojçiq dhe persona të afërt të tij duke tentuar ta shantazhojnë me forma të ndryshme të fabrikimeve për t’ia dëmtuar reputacionin te votuesit serbë dhe për ta detyruar të tërhiqet nga gara.

Ai dhe ministria që drejton gjithashtu kanë që qenë cak i sulmeve kibernetike me c’rast profili i Rashiq dhe ministrisë në rrjete sociale janë hakuar”, tha ai.

Kurti: Vuçiqi përmes Radoiçiqit ndërhyri në zgjedhjet tona duke ndihmuar Listën Serbe, u cenua demokracia

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Ai ka përmendur 7 instanca shtetërore e jo shtetërore serbe përgjegjëse për këtë ndërhyrje, teksa ndikimi është dalluar edhe te komunitetet e tjera jo-shumicë, përveç asaj serbe.

"Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet tona parlamentare është një  cënim që i bëhet demokracisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ajo ka ndikuar në zgjedhjen e deputetëve serb dhe të pakicave jo serbe, e të cilat janë nën kontrollin e plotë të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të qeverisë e të inteligjencës dhe krimit të organizuar atje", ka thënë ai në konferencë të përbashkët me ministrin për Komunitete dhe Kthime, Nenad Rashiq. 

Kurti ka thënë se vet presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka inkurajuar çdo aktorë shtetëror e jo shtetëror serb, që të përfshihet në zgjedhjet e Kosovës.

"Për këtë qëllim rol ekzekutiv ka pasur kryeterroristi Milan Radojcic, apo njeriu i cili ka marrë detyrat për Kosovën nga presidenti i Serbisë. Aparati shtetëror i Serbisë ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme t'i dëmtojë subjektet rivale serbe, veçanërisht Partinë për Liri, Drejtësi e Mbijetesë të Nenad Rashiqit, ministrit tonë dhe Demokracia Serbe të Aleksandër Arsenijeviq, por edhe votuesit e subjekteve të komuniteteve tjera, kryesisht rom e ashkali", ka theksuar kryeministri.

Ai ka thënë se ndikimi i ndërhyrjes është dalluar në katër komunat veriore dhe gjashtë komunat me shumicë serbe. Ai ka potencuar tërheqjen e pothuajse të gjitha subjekteve politike serbe  dhe bastisjen e qendrës për çështje sociale. 

"Kemi identifikuar 7 instanca shtetëror e jo shtetëror të Serbisë. I pari është presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i dyti është kryeterroristi Milan Radojcic, pastaj është Petar Petkovic, BIA serbe, mediat serbe të kontrolluara në Beograd, Lista Serbe dhe së fundmi është edhe struktura ilegale përfshirë këtu Bankën Postare Kursimore, qendrat sociale, zyrat e pensioneve, MTS - telekomi i Serbisë si dhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës", ka thënë ai. 

Kurti ka listuar 10 metoda të cilat aparati serb i ka përdorur karshi votuesve serb: joshja financiare, kushtëzimi financiar përmes rrezikimit të humbjes së beneficioneve, përçarja e rivalëve të Listës Serbe, shantazhi e presioni për mos mbështetje të asnjë subjekti përveç Listës, kërcënimi për t'u larguar nga këshillët e vendvotimeve, regjistrimi i 'votuesve të sigurt' përmes përpilimit të listave të caktuara, transporti i organizuar nga Serbia në Kosovë, organizimi kolektiv në qendra votimi, kontrollimi i votuesve dhe shenjëzimi i fletëvotimeve.

"Në zgjedhjet e fundit format e ndërhyrjes kanë dalluar për shkak të përmirësimit të dukshëm të sigurisë në katër komunat veriore, rezultat i sundimit të rendit e ligjit, luftimit të suksesshëm të grupeve kriminale dhe terroriste si dhe mbylljes së stukturave ilegale. Ndikimi i dikurshëm brutal e fizik, përfshirë këtu edhe rrahjet e vrasjet nuk ka qenë i mundur më. Si zëvendësim janë rritur format e tjera të kërcënimeve hibride, kryesisht joshja dhe kërcënimi financiar, shantazhi e frikësimet e kërcënimet, por edhe sulmet kibernetike", ka thënë Kurti. 

Kurti ka përmendur edhe kërcënimin e drejtpërdrejtë të Nenad Rashiq nga Milan Radojcic, si dhe kërcënimet kibernetike të tij dhe të ministrisë që ai ka drejtuar. 

Kurti e Rashiq mbajnë sot konferencë për media

Kryeministri Kurti dhe ministri Rashiq do të mbajë sot konferencë për media nga ora 11:00.

Arsyeja nuk është bërë e ditur.

“Agjenda e Kryeministrit të Republikës së Kosovës e datës 09.03.2025. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq mban konferencë për media.

VENDI:  Ndërtesa e Qeverisë. KOHA: 11:00”, thuhet në njoftim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat