Këta janë dillerët që u kapën me mbi 12 kg drogë gjatë aksionit ‘Titani’ në Prizren

Aktuale

Këta janë dillerët që u kapën me mbi 12 kg drogë gjatë aksionit ‘Titani’ në Prizren

Më: 9 mars 2025 Në ora: 13:19
Foto ilustrim

Hetimi i zhvilluar nga Antidroga e Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit rezultoi me një aksion policor në Prizren, të koduar si “Titani”, ku u sekuestruan mbi 12 kilogramë drogë dhe u arrestuan dy persona. Ndaj të dyshuarve është kërkuar masa e paraburgimit, ndërsa kërkimet për një të dyshuar tjetër që ia doli të arratiset, po vazhdojnë.

Media ka mësuar ekskluzivisht se personat që përfunduan në prangat e Policisë janë Nderim Idrizi, rreth 40-vjeçar dhe Etnik Merturi, rreth 25-vjeçar.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që iku nga vendi i ngjarjes është Hasan Hajdari.

Operacioni policor u krye në parkingun e ish hotel “Vllazimi” në Prizren.

Ndaj dy të ndaluarve, Prokuroria ka kërkuar paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Idrizi dyshohet edhe për veprën penale ”Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, Idrizi dyshohet se më 28 shkurt “pa autorizim ka shitur, transportuar, dorëzuar dhe dërguar në transit substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, me qëllim shitjes në atë mënyrë që pas marrëveshjes paraprake me personin me emrin “T.” për shitblerje të substancës narkotike, takohet me të njëjtin në afërsi të fshatit Landovicë – Komuna e Prizrenit, të cilit në bazë të marrëveshjes ia shet substancën narkotike të llojit Marihuanë me peshë prej 1019.66 gram, të vendosura në një qese plastike me ngjyrë të zezë, në këmbim të vlerës prej 2,400.00 (Dymijë e katërqind euro).”

Ndërsa natën që u kapën, Idrizi dhe Merturi, dyshohen se “në afërsi të fshatit Landovicë – Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje, pa autorizim shesin, transportojnë, dorëzojnë dhe dërgojnë në transit substanca apo preparate, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që pas marrëveshjes paraprake përmes telefonit me personin e quajtur “T.”, i pandehuri i parë N.I., vjen me veturën e tij të markës ‘’Audi’’ dhe pasi takohet me personat “T.” dhe ‘’E.’’ në parkingun e pompës së derivateve ‘’K.P.’’, hip në veturën e tyre dhe paraprakisht kërkon që t’i shohë paratë, të cilat edhe i numëron dhe menjëherë e merr në telefon të pandehurin e tretë H.H., (i cili gjendet në arrati)”.

“Ky i fundit duke qenë i shoqëruar edhe nga i pandehuri i dytë E.M., pas pak minutash afrohen me veturën e markës ‘’VW Bora’’, dhe me të arritur në afërsi të parkingut të ish-hotel ‘’V.’, që të dy dalin nga vetura dhe së bashku nxjerrin një qese me ngjyrë të kaltër brenda së cilës ishin 11 (njëmbëdhjetë) foli alumini me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 10,510.36 (Dhjetë kilogram e pesëqind e dhjetë gram e tridhjetë e gjashtë miligram) në vlerë prej 25,000.00 Euro (Njëzet e pesëmijë euro).”

Në atë moment, menjëherë kanë reaguar forcat e policisë, të cilët kanë arritur ta arrestojnë të dyshuarin e parë dhe të dytë, ndërsa i treti ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes dhe vazhdon të jetë në arrati.

Pas bastisjes së shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të Idrizit, Policia ka arritur të gjejë dhe sekuestrojë edhe një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë në peshë prej 11 kilogram e 200 gram, dy peshore dhe një shumë parash rreth 4 mijë euro.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat