Dimal Basha e denoncoi për kërcënim, ky është mërgimtari që u arrestua posa arriti në aeroport

Aktuale

Dimal Basha e denoncoi për kërcënim, ky është mërgimtari që u arrestua posa arriti në aeroport

Më: 9 mars 2025 Në ora: 14:38 Përditësuar në ora: 16:21 më 09.03.2025
Dimal Basha

​Dimal Basha ndihet i rrezikuar, mbahet seanca dhe kërkohet paraburgim për të pandehurin

Pas seancës fillestare të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për veprën penale “kanosja” të mërgimtarit Riad Munishi, ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, sot në ora 16:00 do të bëhet shpallja e aktgjykimit.

Munishi po akuzohet se që nga data 27 shkurt e deri më 2 mars 2025, ka kanosur Bashën nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, me fjalë të ndryshme, edhe pasi që Basha ka denoncuar atë në Polici, i njëjti ka thënë “shihemi pas gjyqit”.

Prokurori i rastit, Paulin Pashku ka bërë kërkesën për masë të paraburgimit, apo dënimi të paguhet përmes gjobës një mijë e pesëqind euro, por avokati i të pandehurit ka kundërshtuar masën e paraburgimit.

I akuzuari, Munishi ka pranuar fajin e tij dhe ka kërkuar falje ndaj Bashës dhe i premtoi se nga ai nuk do të ketë ndonjë kërcënim ndaj tij apo familjes së tij.

Munishi: Ndihem fajtor plotësisht

“Ndihem fajtor plotësisht. I kërkoj falje Dimal Bashës. Nga unë nuk do të ketë asnjëherë ndonjë kërcënim apo kanosje, as ndaj tij, e as familjes së tij. I kërkoj falje që e kam shqetësuar”, tha Munishi.

Por deputeti Dimal Basha nuk pranoi faljen e tij. Ai tha se ndihet i kërcënuar nga ai, pasi që Munishi kishte kërcënuar Bashën edhe në vitin 2023.

Basha:Po ndihem i rrezikuar

“S’kam asgjë me shtuar. I bashkëngjitëm ndjekës penale. Po ndihem i rrezikuar ndaj të pandehurit. Edhe në vitin 2023 i njëjti ka kërcënuar gjithashtu me kanosje”, u shpreh Basha.

Ndërsa, prokurori Paulin Pashku ka kërkuar masën e paraburgimit, pasi që viktima ndihet i kanosur ndaj tij.

Pashku: Të përcaktohet masa paraburgimit

“Ndihet i kanosur, konsiderojmë se edhe më tutje të përcaktohet masa paraburgimit”, shtoi ai.

Gjyqtarja Edita Çanta bëri të ditur se shpallja e aktgjykimit do të bëhet sot në ora 16:00.

Çanta:Dëgjimi fillestar mori fund,

“Dëgjimi fillestar mori fund, shpallja e aktgjykimit do të behet sot në ora 16:00 ku gjykata do të vendosë edhe për kërkesën e prokurorisë për shpalljen e aktgjykimit”, theksoi ajo.

Ky është rasti i dytë që deputeti Dimal Basha, kërcënohet në rrjetin social facebook. Basha ka qen në legjislaturën e kaluar por ka marrë votat e mjaftushme për të qen sërish deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

--------------

Sektori i Hetimit të Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës ka nisur një hetim pas denoncimit të kandidatit për deputet të VV-së, Dimal Basha, i cili në fund të muajit shkurt e raportoi një rast kërcënimi. Si rezultat, u ndërmorën veprimet e nevojshme dhe i dyshuari tashmë është arrestuar.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinë, i dyshuari u ndalua dhe më pas u intervistua nga hetuesit policorë.

Media ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari për këtë rast është Rijad Munishi, rreth 37-vjeçar, mërgimtar nga Zvicra.

Munishi dyshohet se i kishte dërguar një mesazh në rrjete sociale deputetit Basha, përmbajtja e të cilit ishte kërcënuese, për motive akoma të panjohura.

Pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme, emri i të dyshuarit u fut në stop listë dhe i njëjti u ndalua pas verifikimit në aeroport.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor, në drejtim të veprës penale “Kanosja”.  

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që seriozisht e kanos personin tjetër me fjalë, vepra apo gjeste se do t’i shkaktoj ndonjë të keqe me qëllim të frikësimit ose të shkaktimit të ankthit te personi i tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë (6) muaj.

Ndërsa kushdo që seriozisht i kanoset personit tjetër me fjalë, vepra apo gjeste se do ta privojë nga jeta ose se do t’i shkaktojë lëndim të rëndë trupor, se do ta rrëmbejë ose privojë nga liria ndonjë person tjetër ose se do ta dëmtojë me armë zjarri, me shpërthim ose me mjete të tjera të rrezikshme, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat