Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur vendim arbitrar atë të një dite më parë të marrë nga PZAP, që e quajti të pasafatshme ankesën e këtij subjekti politik që kërkoi anulimin e të gjitha votave me postë dhe rivotim.
Anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi, ka thënë se tash do të vazhdojnë me ankesë në Gjykatën Supreme.
Tha se ata u ankuan në PZAP bazuar në njoftimin e Sekretariatit që kishte njoftuar se numërimi përfundoi në ora 21:00.
“Ka raste kur janë dërguar ankesa në PZAP dhe kur ankesat refuzohen ose shpallen të pavlefshme, pasi janë të pasafatshme, apo të paraaftshme. Unë kam përshtypjen, por edhe ka fakte se kjo bëhet pak në mënyrë arbitrare nga PZAP-ja, për arsye që ata e dinë. Unë, mund ta marr me mend se ata nuk mund t’i konceptojnë bash drejt kur ka filluar e kur mbaron një afat. Rasti i fundit është dje, ne, si LVV kemi bërë një ankesë e është shpallur e pasafatshme, dhe unë mendoj që është vendim i padrejtë e arbitrar i PZAP-së, sepse, ne, jemi bazuar në një njoftim të SKQZ-së për përfundimin e numërimit të votave në QNR.
Dhe, meqë ankesa e kërkesa ka qenë për rivotim me postë e ka të bëjë me krejt procesin e jo me rastet veçanta, do të thotë është dashur të pritet përfundimi i numërimit. Ne, i jemi përmbajtur afatit sipas njoftimit të Sekretariatit që ka qenë ora 21:00, dhe nga përgjigjja e KQZ-së e kam parë që nuk e kanë cekur afatin se kur ka filluar. Unë nuk e di në cilën mënyrë e ka marr PZAP-ja orën 16:00, nuk e arsyeton pse e ka marrë atë afat, por duke u bazuar në atë afat e shpallë ankesën të pasaftshme”, tha ai.
Shpjegime këtu ka dhënë vetë kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, që tha se ai më 5 mars, në ora 21: 03 minuta e kishte dërguar një e-mail ku kishte njoftuar KQZ-në që ka përfunduar i gjithë procesi i numërimit.
“Po ashtu ka një njoftim në faqen e KQZ-së ku thuhet se procesi i numërimit të fletëvotimeve të votimit me postë ka përfunduar në ora 16:00. Me rastin e marrjes së vendimit të PZAP-së, ata i janë referuar këtij njoftimi, dhe ky lidhet me paragrafin 1 të nenit 105 të Ligjit për Zgjedhje e Përgjithshme”, sqaroi Buzhala.
Sipas tij, njoftimi i Drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së ka qenë një njoftim që i gjithë procesi i numërimit të fletëvotimeve ka përfunduar, ku këtu përfshihet akti final i administrimit dhe numërimit të fletëvotimeve në QNR.