​Kurti: Në mandatin tonë është shtuar numri i punësimit të grave

Aktuale

​Kurti: Në mandatin tonë është shtuar numri i punësimit të grave

Më: 10 mars 2025 Në ora: 13:50
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se mbështetja ndaj grave dhe adresimi i pabarazisë gjinore ka qenë fokus i qeverisë së Kosovës.

Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ku u prezantua rrjeti i grave në pozita vendimmarrëse në administratë publike dhe institucione të pavarura, Kurti, tha se prej vitit 2021 kur kanë marrë pushtetin është shtuar numri i punësimit të grave si dhe 50 për qind e anëtarëve të emëruar në ndërmarrjet publike janë gra, raporton KosovaPress.

Kreu qeveritar para të pranishmëve theksoi nevojën edhe të forcimit sindikal të grave.

“Adresimi i padrejtësive dhe pabarazive gjinore ka qenë në qendër të punës sonë si qeveri. Gjatë këtij mandati të parë të plotë kemi bërë shumë hapa që nuk janë të vegjël. Kemi mbështetur direkt punësimin e 12 mijë grave. Nga të rekrutuarat në administratë publike në vitin 2023 rreth 48 për qind ishin gra, ndërkaq në vitin 2024 ishin 68 për qind gra. Mbështetëm punësimin e mbi katër mijë personave, prej tyre 55 për qind gra të cilat s’kanë pasur asnjë anëtarë të familjes të punësuar...Te shtesat për lehona dhe fëmijë kanë përfituar 400 mijë fëmijë dhe gati 70 mijë gra, nëna të reja përfituese prej tyre dy të tretat të papuna. Rreth 100 mijë gra gjithsej si rezultat i shtesave kanë hapur xhirollogari bankare për herë të parë në jetën e tyre”, tha ai.

Megjithatë, kreu qeveritar tha se pengesat për gratë mbeten në Kosovë, të cilat sipas tij nuk janë ligjore dhe politike, por më shumë kulturore.

“Sado që gratë në Kosovë zënë vende udhëheqëse më shumë sesa më parë pengesat mbeten. Ato pengesa nuk janë vetëm ligjore dhe politike, por janë të skalitura në vet mënyrën sesi funksionon pushteti. Janë strukturore në hapësira ku merren vendimet. Janë kulturore në mënyrën sesi gjykohen gratë për fjalën që thotë, mënyrën si flasin si vishen dhe si qëndrojnë. Po ashtu janë edhe institucionale pasi sistemi që ka ndërtuar të kaluarën vazhdon ku më shumë dhe ku më pak të komandojë të tashmen”, tha Kurti.

Pjesë e këtij organizimi ishte edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili tha se është bërë progres për avancimin e pozitës së gruas në Kosovë, mirëpo nënvizoi nevojën që të ketë avancim edhe më të madh të gruas në Kosovë.

“Është bërë arritje kaq e madhe në Kosovë, veçanërisht kur bëhet fjalë për të drejtat e grave, fuqizimin, por edhe në mënyrë të veçantë agjencinë dhe dikasteret e ndryshëm. Nuk bëhet fjalë vetëm për çështje të barazisë por edhe të cilësisë, në mënyrën e vendimmarrjes dhe udhëheqjes së këtij vendi. Globalisht siç dina ne, gratë vazhdojnë të mbesin të nën përfaqësuara sipas Kombeve të Bashkuara anë e kënd botës”, deklaroi ambasadori britanik.

Mes tjerash u theksua nevoja për shtyrjen e politikave që promovojnë barazinë gjinore, pasi u konsiderua që janë esenciale për zhvillimin dhe demokratizimin e shoqërisë kosovare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat