Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim, thotë se rinumërimi i votave të kandidatëve të LDK-së në Vushtrri ka nxjerrë në pah probleme të mëdha me mospërputhjen e votave.
Sipas tij, vetëm në 15 nga 96 vendvotime nuk ka pasur dallime, ndërsa në 35 të tjera, ndryshimet janë mbi 10 vota.
Tutje, shkruan se kjo tregon se manipulimi nuk varet nga vendndodhja e numërimit, por nga ata që numërojnë. Për këtë arsye, ekspertët dhe qytetarët po kërkojnë kalimin në një sistem të dixhitalizuar përmes skanimit të fletëvotimeve, duke garantuar integritet dhe efikasitet më të madh.
Postimi i plotë:
Në vitin 2023, partitë politike ishin pajtuar që numërimi i votave të zhvendosej në qendrat komunale të numërimit, për të shmangur manipulimet nga komisionerët.
Megjithatë, pavarësisht kamerave, televizorëve, vëzhguesve, kostos dukshëm më të lartë dhe vonesave në përpunimin e rezultateve, këto zgjedhje po tregojnë se problemi vazhdon.
Nga rinumërimi i votave të kandidatëve të LDK-së në Vushtrri, vetëm në 15 nga 96 vendvotimet e kësaj komune, nuk ka pasur dallime në vota. Ndërkaq, në plot 35 vendvotime, diferencat janë mbi 10 vota.
Edhe nëse nuk vërtetohet në asnjë komunë tjetër, ky rast tregon se problemi nuk qëndron as tek mënyra dhe as tek vendndodhja e numërimit, por tek ata që numërojnë dhe procesojnë rezultatet. Prandaj, është e domosdoshme që të largohemi nga numërimi dhe përpunimi manual i votave.
Një zgjidhje mund të jetë dixhitalizimi i numërimit përmes skanimit të fletëvotimeve, të plotësuara me kimik unik – opsion që garanton integritetin por edhe shpejtësinë e procesit.