Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) publikoi një studim të ri mbi avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe NATO-s.
Ky punim, i titulluar “Eksplorimi i opsioneve për avancimin e marrëdhënieve Kosovë-NATO”, vjen në një kohë të rritjes së tensioneve gjeopolitike, duke theksuar nevojën për një qasje më të avancuar të Kosovës ndaj Aleancës Veriatlantike.
Studimi propozon një model të ri bashkëpunimi të quajtur “Bashkëpunimi i zgjeruar NATO-Kosovë” (KECI), i frymëzuar nga Studimi i Zgjerimit të NATO-s i vitit 1995.
Autori kryesor, Ramadan Ilazi, argumenton se kjo kornizë mund të krijojë një rrugë të qëndrueshme për bashkëpunimin e Kosovës me NATO-n, pavarësisht sfidave që dalin nga mosnjohja e vendit nga katër shtete anëtare të Aleancës
Ndërkohë, bashkëautorja e studimit, Jeta Loshaj, thekson se konteksti gjeopolitik ka ndryshuar ndjeshëm, duke përmendur anëtarësimin e shpejtë të Suedisë dhe Finlandës si një precedent që mund të ndikojë edhe në rastin e Kosovës. Sipas saj, sulmet e mëparshme në Kosovë dhe rreziqet e sigurisë tregojnë nevojën për një qasje më të drejtpërdrejtë në Aleancë.
Drejtori Ekzekutiv i QKSS, Mentor Vrajolli, vlerëson se anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk do të ishte i dobishëm vetëm për Kosovën, por edhe për vetë Aleancën.
Ai argumenton se një proces i besueshëm integrimi do të zvogëlonte ndikimin e aktorëve keqdashës në rajon dhe do të reduktonte barrën financiare të anëtarëve të NATO-s në raport me misionin e KFOR-it në Kosovë.
Ky publikim përkon me vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në rajon.
Sipas QKSS, ndërsa vizita dëshmon shqetësimin e NATO-s për situatën në Kosovë dhe Bosnje dhe Hercegovinë, nevojiten hapa konkretë për të garantuar stabilitetin afatgjatë të sigurisë në rajon.