Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Prishtinë ka filluar procesi i rinumërimit të fletëvotimeve nga 50 vendvotime të rregullta, sipas vendimit të KQZ-së.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar për RTKlive zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Fillimisht, në mbledhjen e ditës së sotme KQZ mori vendim për rinumërimin e 15 vendvotimeve nga komuna të ndryshme të Kosovës, në të cilat është zhvilluar procesi i votimit më 9 shkurt 2025. Sipas rekomandimit të prezantuar nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, gjatë pranimit të rezultateve në këtë qendër nga Qendrat Komunale të Numërimit është hasur në mospërputhje të numrit të nënshkrimeve në Listën e Votuesve me numrin e fletëvotimeve brenda në kutitë e votimit të këtyre vendvotimeve”, tha Elezi.
Gjithashtu, KQZ mori vendim për rinumërimin e plotë të fletëvotimeve për subjektet politike dhe kandidatët nga 35 vendvotime për shkak se ekzistojnë mospërputhje në rezultate.
Këto vendvotime i takojnë komunës së Vushtrrisë, e që sipas Elezit janë të parat që nisën të rinumërohen.
Ky proces po zhvillohet në prezencë të vëzhguesve të akredituar.