Pas takimit me shefin e NATO-s, reagon Kurti

Aktuale

Pas takimit me shefin e NATO-s, reagon Kurti

Më: 11 mars 2025 Në ora: 06:49 Përditësuar në ora: 20:37 më 11.03.2025
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeministria deklarohet rreth takimit Kurti-Rutte

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot në ndërtesën e Qeverisë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për herë të parë në këtë rol. Ai e uroi për detyrën e re dhe i dëshiroi sukses në udhëheqjen e Aleancës në këtë periudhë kritike për sigurinë evropiane dhe globale.

Gjatë takimit, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e çmueshëm të NATO-s në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë. Ai theksoi se aspirata e Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO reflekton përkushtimin e vendit tonë ndaj vlerave të përbashkëta të demokracisë, sundimit të ligjit dhe sigurisë dhe vullnetit për të kontribuar në fuqizimin të mëtejshëm të Aleancës.

Gjithashtu, Kryeministri falënderoi Sekretarin Rutte për bashkëpunimin e ngushtë mes misionit të NATO-s, KFOR-it, dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës nëpërmjet misionit këshillëdhënës NALT.

Në diskutim u theksua fakti se Kosova organizoi zgjedhje parlamentare të lira dhe demokratike, me pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve jo-shumicë. Megjithatë, Kryeministri ngriti shqetësimin për ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Serbisë, me mbështetjen e Rusisë, ndaj komunitetit serb përmes presionit, shantazhit dhe dezinformimit. Ai theksoi se raportet e misionit të vëzhguesve të BE-së kanë evidentuar përhapjen e dezinformatave nga mediat ruse me bazë në Serbi, si “RT Balkans” dhe “Sputnik Srbija”, të cilat kanë shpërndarë mbi 60 artikuj që synonin manipulimin e komunitetit serb në Kosovë.

Kryeministri Kurti falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, dhe theksoi gatishmërinë e Kosovës për të qenë përherë aleate në mbrojtje të vlerave demokratike.

Kurti, Rutte-s: Kemi qenë në shënjestër të ndërhyrjeve në zgjedhje, nga Serbia me ndihmën ruse

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Kurti priti Rutten në Kryeministri, me vizitën e parë të tij në Kosovë si Sekretar i NATO-s.

Pas takimit, Kurti deklaroi se gjatë bashkëbisedimit u vlerësua bashkëpunimi i vazhdueshëm dhe u rikonfirmua angazhimi për siguri rajonale dhe evropiane.

“Theksova gjithashtu progresin e rëndësishëm demokratik të Kosovës. Megjithatë, si shumë vende evropiane, ne kemi qenë në shënjestër të ndërhyrjeve në zgjedhje, në rastin tonë, nga Serbia me ndihmën ruse, një mjet i përhapur që përbën një kërcënim kritik për demokracinë në epokën aktuale”, shkroi Kurti në “X”.

Ky është postimi i plotë i tij:

Kënaqësi të mirëpres Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, që vjen në Prishtinë në vizitën e tij e parë në rolin e tij aktual në krye të Aleancës. Ne vlerësojmë bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe rikonfirmojmë angazhimin tonë për sigurinë rajonale dhe evropiane. Theksova gjithashtu progresin e rëndësishëm demokratik të Kosovës. Megjithatë, si shumë vende evropiane, ne kemi qenë në shënjestër të ndërhyrjeve në zgjedhje, në rastin tonë, nga Serbia me ndihmën ruse, një mjet i përhapur që përbën një kërcënim kritik për demokracinë në epokën aktuale.

Kujtojmë se para se të takohej me Kurtin, Rutte u prit në takim nga presidentja Vjosa Osmani.

Kurti pret në takim Rutten

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte është pritur në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ky takim është zhvilluar pas atij me presidenten Vjosa Osmani.

Rutte në një deklarim për media tha se për NATO është e gatshme të përballet me çdo sfidë që cenon sigurinë në rajon, ndërsa tha se paqe duhet zgjidhje politike e lidership nga politikanët.

Sekretari i NATO-s: Përparimi në dialogun Kosovë-Serbi kërkon fleksibilitet dhe vendime të vështira

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka thënë se NATO mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga Bashkimi Evropian për normalizim të marrëdhënieve.

Rutte u shpreh se për të arritur një paqe afatgjate, nevojiten kompromise të duhura.

Stabiliteti në rajon varet nga të gjitha palët që të zgjedhin diplomacinë para dhunës. Zgjidhja për një paqe afatgjatë është politike, dhe në këtë drejtim NATO do të vazhdoj të mbështes normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga BE-ja. Për ta shtyrë përpara këtë dialog të dyja palët duhet të shfaqin fleksibilitet dhe të bëjnë kompromiset e duhura dhe të fokusohen në dobitë afatgjate”, ka thënë Rutte.

Sekretari i NATO-s u shpreh se për të arritur këtë duhen vendime të vështira.

“E kuptoj që kjo kërkon vendime të vështira, por normalizimi sjell stabilitet më të madh. Ky është mesazhi që unë do të vazhdoj ta theksoj para të gjitha palëve në Ballkan”, tha Rutte.

Tutje sekretari Rutte u shpreh se prania e tij sot në Kosovë, është demonstim i qartë i përkushtimit të palëkundur të NATO-s për siguri afatgjate në gjithë Kosovën dhe pastaj edhe për stabilitetin e rajonit.

“NATO ka mbështetur paqen, stabilitetin në Ballaknin Perëndimor për tashmë 30 vjet me radhë. Përkushtimi ynë mbetet i qëndrueshëm edhe sot i udhëhequr nga KFOR-i që është misioni më afatgjatë dhe më i madh. Trupat tanë të KFOR-it punojnë pa pushim për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, u shpreh Rutte gjatë konferencës për media në Prishtinë.

Skeretari i Përgjithshëm i NATO-s më tej shtoi se “një rajon më i sigurt i Ballkanit Perëndimor, nënkupton më shumë siguri për gjithë zonën e NATO-s”.

Duhet ta kemi të qartë qa kemi para nesh. Jemi plotësisht të gatshëm ti përgjigjemi çfarëdo lloj zhvillimi të sigurisë dhe për këtë shpresojmë të shohim një bashkëpunim edhe me të thellë mes institucioneve të Kosovës dhe KFOR në këtë drejtim. NATO do të vazhdoj të luaj rolin e vetë në mandatin e vetë për sigurinë e të gjithëve në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in”, deklaroi Rutte.

Ai falënderoi presidenten Vjosa Osmani për mikpritjen dhe fjalët e ngrohta.

Osmani, Ruttes: Këtu jeni si në shtëpinë tuaj – Liria e Kosovës u ndërtua edhe me kontributin e KFOR-it

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në konferencën e mbajtur pas takimit me sekretarin e NATO-s, Mark Rutte, tha se Kosova do të vazhdojë të jetë aleat i besueshëm kundër kërcënimeve hibdride dhe ndërhyrjeve të huaja.

“Po ashtu jemi të gatshëm që të mbështesim infrastrukturën e NATO-s dhe të kontriubuojmë në misionet e saj duke forcuar më tej duke forcuar rolin tonë si eksportuese e sigurisë”, tha Osmani.

“Siç e theksova edhe gjatë takimit, stabiliteti i rajonit është i lidhur ngushtë edhe me integrimin euroatlantik të këtij rajoni. Është koha që Kosova ta ketë vendin e vet në aleancë”, theksoi ajo.

Shefja e shtetit vlerësoi lart kontrbutin e forcave paqëruajtëse të KFOR-it për lirinë e Kosovës.

Ajo i tha sekretarit të NATO-s, se përherë do të jetë sikur në shtëpinë e tij.

“Në Kosovë gjithnjë do të jeni gjithmonë si në shtëpinë tuaj, e ndërtuar në liri edhe me kontributin mijëra burrave dhe grave në uniformën e KFOR-it. Misioni ky, që mbetet më i gjati, më i madhi por edhe më i suksesshmi në historinë e NATO-s”, deklaroi presidentja Osmani.

Osmani: Është koha që Kosova ta ketë vendin e saj në NATO

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova është shteti me sentimentin më pro NATO në glob, dhe se qytetarët e këtij vendi do të jenë përjetësisht mirënjohës për konitrbutin vendimtar të kësaj aleance për lirinë e vendit.

Osmani në konferencën për media ka deklaruar se gjatë 25 viteve, së bashku me NATO-n, Kosova është shndërruar në një shembull suksesi teksa ka shtuar se NATO është themeluar mbi vlerat në të cilat qëndron sot edhe vet Kosova.

Ajo ka shtuar se interesimi i Kosovës për anëtarësim në Aleancë është domosdoshmëri strategjike për paqe në rajon dhe kontinent. 

‘‘Ndaj ju falënderoj që pranuar ftesën time që ta vizitoni Kosovën, shtetin me sentimentin më pro NATO në glob. Me lejoni të ju uroj mirëseardhje në emër të të gjithë qytetarëve të republikës sonë, qytetarë të cilët do të jenë përjetësisht mirënjohës për kontributin vendimtar të aleancës për lirinë e vendit tonë.

Para pak më shumë 25 vitesh shumica prej nesh kemi qenë të rinj ose fëmijë që dolën ti presin ushtarët e NATO edhe priteshin si shpëtimtarët tanë. Ata ushtarë sollën dritë në errëserinë e një tragjedie njerëzore që po zhvillohej para syve të botës. 

Prandaj populli i Kosovës do të ketë gjithë mirënjohje të thellë për secilin vend aleat dhe për secilin ushtarë që erdhën në mbrojtje të një populli. Përgjatë këtyre 25 viteve së bashku me ju e kemi shndërruar Kosovën në një shembull suksesi dhe në një demokraci që angazhohet për të qenë jo vetëm përfituese e sigurisë edhe kontribuuese e saj. NATO është themeluar mbi vlerat në të cilat qëndron edhe vet shteti ynë, prandaj synimi ynë për anëtarësim në NATO është një domosdoshmëri strategjike për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe të gjithë kontinentin evropian.

Siç e thatë në Bosnje është me rëndësi që të mos ketë vakum të sigurisë. Kosova e ka arritu objektivin e natos prej 2% të GDP, dhe synojmë ta dyfishojmë në kohë rekorde.

Së shpejti nisim me prodhimin e municioneve dhe dronëve.. Serbia vazhdon ta minojë qëllim për paqe dhe stabilitet.. Beogradi po synon ta destabilizojë jo vetëm Kosovën por edhr Rajonin… Prania e trupave te NaTOs është barrierë për cënimin e paqes dhe stabilitetit… I bashkohemi thirrjeve tuaja për përgjegjësi sa i përket sulmit ndaj KFOR-it në maj 2023, ku 93 u plagosën, 3 rëndë… Koha që Kosova ta ketë vendin e saj në aleancë“, ka deklaruar Osmani.

Osmani: Është koha që Kosova ta ketë vendin në NATO

 Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani pas takimit me sekretarin e Përgjithshëm Rutte në një konferencë për media, tha se është koha që Kosova ta ketë vendin në NATO.

Me nderime të larta shtetërore është pritur në oborrin presidencial, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, aty ku u prit nga presidentja e shtetit, Vjosa Osmani.

Pas shtrëngimit të duarve dhe fotografisë para gazetarëve, kameramanëve e fotoreporterëve, nisën takimin e përbashkët.

Rutte nis takimin me presidenten Osmani

Me nderime të larta shtetërore është pritur në oborrin presidencial, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, aty ku u prit nga presidentja e shtetit, Vjosa Osmani. Pas shtrëngimit të duarve dhe fotografisë para gazetarëve, kameramanëve e fotoreporterëve, nisën takimin e përbashkët.

Pas takimit pritet të ketë konferencë për media, ndërsa, pas presidencës Rutte do të zhvillojë takim në kryeministri, me kreun qeveritar, Albin Kurti.

Përveç takimit me liderë shtetëror, Rutte do të vazhdojë takimet edhe me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani, ambasadorin e BE-së, Aivo Orav, shefin e EULEX-it, Giovanni Barbano e shefen e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh.

Rutte erdhi në Kosovë, pas vizitës që zhvilloi në Bosnje e Hercegovinë. Nga atje tha se Kosova është një vend shumë i rëndësishëm, ku prania e NATO-s është e fortë përmes trupave të KFOR-it.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, para ardhjes në Prishtinë, ka thënë se Kosova është një vend shumë i rëndësishëm, ku prania e NATO-s është e fortë përmes trupave të KFOR-it.

“Është e rëndësishme të angazhohemi të gjithë që ky shtet të jetë në situatën më të mirë të mundshme. Atje ka pasur zgjedhje dhe do të shohim si do të formohet Qeveria e re. Gjithë kjo është pjesë e një procesi normal demokratik, gjë që është e mirë. Por në të gjithë rajonin situata po ndryshon. Jam në komunikime intensive, jo vetëm me krerët e Kosovës dhe ata të Bosnjë e Hercegovinës, por javën e kaluar kam biseduar edhe me Vuçiqin, që javën tjetër pritet të jetë së shpejti në Bruksel. Pra, komunikimet janë intensive që tensionet në rajon të ulen”, ka theksuar Rutte për Al Jazeera Balkans.

Shefi i NATO-s nis takimet në Kosovë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka nisur takimet në Kosovë me krerët e lartë shtetërorë.

Ai fillimisht është mirëpritur nga presidentja Vjosa Osmani, dhe më vonë gjatë ditës do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.

Rutte ka thënë në një intervistë për Al Jazeera Balkans një ditë më parë se, Kosova është shtet shumë me rëndësi dhe që NATO-ja ka prezencë të konsiderueshme përmes KFOR-it.

“Ka pasur zgjedhje, do të shohim se si do të formohet Qeveria e re, por kjo është pjesë e procesit demokratik. Nuk ka gjë të keqe”, ka thënë Rutte, duke shtuar se aleanca bën përpjekje të vazhdueshme që ky shtet të jetë në formën e vet më të mirë.

Shefi i NATO-s ka thënë ditë më parë se stabiliteti në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi është në interesin e të gjithëve në aleancën ushtarake perëndimore, dhe se ai nuk sheh arsye të besojë se mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në NATO.

Ivan Vejvoda, hulumtues në Institutin për Shkenca Humane në Vjenë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se beson që Rutte do ta shfrytëzojë këtë vizitë për të ofruar garanci se kontingjenti evropian brenda misionit të aleancës në Kosovë, KFOR, do të mbetet aty, pavarësisht ndonjë lëvizjeje të forcave ushtarake amerikane.

Çështja e rishqyrtimit të pozicionit të SHBA-së në Evropë ka nisur të qarkullojë prej deklaratave që ka bërë sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në shkurt, kur ka thënë se evropianët nuk mund të presin që prezenca ushtarake amerikane në kontinent do të zgjasë përgjithmonë, teksa u ka bërë thirrje evropianëve që t’i rrisin shpenzimet për mbrojtje.

Edhe presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë thirrje që evropianët të paguajnë më shumë në këtë sektor, duke ngritur dilema nëse ata do të ishin tani në gjendje të mbronin SHBA-në, siç e kërkon Neni 5 i NATO-s.

SHBA-ja i ka rreth 100.000 trupa në Evropë, ndërsa prej tyre 600 janë të vendosura në Kosovë, në kuadër të KFOR-it, që në total i ka rreth 4.600 pjesëtarë.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes i ka thënë ditë më parë Radios Evropa e Lirë se tani për tani nuk ka ndonjë ndryshim të planifikuar sa i përket pozicionimit të forcave të tyre.

Vizita e Ruttes në Kosovë zhvillohet pas asaj që ai bëri në Bosnje e Hercegovinë, më 10 mars, ku dha mesazhin që aleanca nuk do të lejojë që “të rrezikohet paqja e fituar me shumë vështirësi”./rel

Rutte viziton sot Kosovën, takohet me Osmanin dhe Kurtin

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, sot do të vizitojë Kosovën, së bashku me ambasadorët e Këshillit të Atlantikut të Veriut.

Shefi i NATO-s, gjatë vizitës në Kosovë do të takohet  në takime të ndara me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Pas takimit, Presidentja Osmani dhe Sekretari i Përgjithshëm Rutte do të mbajnë konferencë për media.

Kjo është vizita e tij e parë në Kosovë që kur mori drejtimin e NATO-s në tetor të vitit të kaluar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat