Rinumërohen 13 nga 50 vendvotime që i takojnë komunës së Vushtrrisë, vazhdon procesi i rinumërimit në QNR

Aktuale

Rinumërohen 13 nga 50 vendvotime që i takojnë komunës së Vushtrrisë, vazhdon procesi i rinumërimit në QNR

Më: 11 mars 2025 Në ora: 11:30
Banorët e BBVK

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar rinumërimi i vendvotimeve sipas vendimit të KQZ-së, i datës 10 mars 2025.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur për median se deri në përfundim të ditës së hënë janë rinumëruar 13 vendvotime nga 50 sa është numri i përgjithshëm i tyre për të cilat ka marrë vendim KQZ, ndërkaq vendvotimet e rinumëruara deri më tani i takojnë komunës së Vushtrrisë.

Gjatë ditës së martë do të procedohet me rinumërimin edhe të vendvotimeve të tjera.

Ndryshe, në mbledhjen e mbajtur më 10 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori dy vendime për rinumërimin e 50 vendvotimeve.

Fillimisht, KQZ mori vendim për rinumërimin e 15 vendvotimeve nga komuna të ndryshme të Kosovës, në të cilat është zhvilluar procesi i votimit më 9 shkurt 2025.

Sipas rekomandimit të prezantuar nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, gjatë pranimit të rezultateve në këtë qendër nga Qendrat Komunale të Numërimit është hasur në mospërputhje të numrit të nënshkrimeve në Listën e Votuesve me numrin e fletëvotimeve brenda në kutitë e votimit të këtyre vendvotimeve.

Në vazhdim, KQZ mori vendim për rinumërimin e plotë të fletëvotimeve për subjektet politike dhe kandidatët nga 35 vendvotime për shkak se ekzistojnë mospërputhje në rezultate. Këto vendvotime i takojnë komunës së Vushtrrisë në të cilat është votuar më 9 shkurt 2025.

Procesi i rinumërimit po zhvillohet në prezencë të vëzhguesve të akredituar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat