Pas një mbledhje të gjatë me Këshillin e Përgjithshëm të Partisë, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ia bëri të qartë partive opozitare se nuk hyn në qeveri pa pozitën e kryeministrit.
Madje, Abdixhiku tha që subjekti që udhëheq nuk do të punojë për një qeveri afatshkurtër, pa zgjidhjen e çështjes së presidentit.
Nga krejt kjo që tha kreu i LDK-së, ka marrë një mesazh Partia Demokratike e Kosovës.
Sekretari organizativ i kësaj partie, Betim Gjoshi thotë se ditëve do të ketë bisedime me LDK-në pasi shohin sinjal për bashkëpunim.
“Ne çka pamë te LDK-ja është një mundësi që të bisedohet për te krijuar një qeveri opozitare dhe kjo është e rëndësishme shumë në këtë fazë ku ndodhet Kosova por është qëndrim i tyre, besoj që kandidati jonë për kryeministër ka shprehë vullnetin e tij që të marrë përgjegjësi. Kosova nuk është që ndodhet në ditët më të mira, kjo qeveri ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë pozicionin e Kosovës, ka dëmtuar edhe brenda Kosovës gjendjen ekonomike, shpresën e njerëzve dhe kush do që e merr duhet të ketë goxha guxim dhe përvojë për të kthyer Kosovën aty ku e duan qytetarët. Unë mendoj që sinjali i parë i Lidhjes Demokratike si parti e tretë në vend ishte që ata nuk do i bashkëngjiten një koalicioni qeveritar e mandej për gjërat e tjera do të bisedohet gjatë”, thotë Gjoshi.
Mirëpo një koalicion opozitar, nuk e sheh jetëgjatë, analisti politik, Shkëlzen Maliqi.
Por Maliqi thotë se arritjen e një koalicioni e ka të vështirë edhe partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.
Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë së hënës, ka thënë se kanë vija të kuqe më Lëvizjen Vetëvendosje.