Rutte për mandatin e FSK-së, Kastrati: Deklarata e tij është politike

Aktuale

Rutte për mandatin e FSK-së, Kastrati: Deklarata e tij është politike

Më: 11 mars 2025 Në ora: 18:39
Kastrati

Shefi i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë një konference për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se NATO ka për detyrë të sigurojë që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) të zhvillohet si një forcë efektive për çështje humanitare.

“Mandati është që të sigurohemi se FSK-ja të ketë ato për çka ka nevojë për të qenë efektive në rolin e saj humanitar në Kosovë. Ky është saktësisht mandati që NATO ka, për të ndihmuar FSK-në të zhvillohet mirë e më mirë që të jetë forcë humanitare, kur të ngriten çështje humanitare,” ka thënë Rutte.

Kjo deklaratë është komentuar nga gjenerali në pension i FSK-së, Kadri Kastrati, i cili e ka cilësuar atë si një qëndrim politik, duke thënë se është bërë për të ruajtur raportet me Serbinë.

“Deklarata e tij është politike, ndoshta për të mos i hidhëruar fqinjët tanë veriorë. Ai e di shumë mirë, edhe NATO e di, sepse është prezente në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në FSK. Që nga viti 2018, kur janë miratuar tri ligjet për Ministrinë e Mbrojtjes, për shërbimin në FSK dhe për FSK-në, kjo forcë ka marrë mision ushtarak”.

“Detyrat e saj kryesore janë mbrojtja e integritetit dhe sovranitetit, pjesëmarrja në operacione paqeruajtëse, ruajtja e jetës dhe pronës së qytetarëve të Kosovës dhe zbatimi i urdhrave nga institucionet qendrore dhe lokale. Ky është misioni i FSK-së, njësoj si te të gjitha forcat e armatosura të vendeve anëtare të NATO-s. Por kjo deklaratë duket se është dhënë për të ruajtur raportet me Serbinë,” ka deklaruar Kastrati.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat