Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi kanë aktakuzë për veprën penale “spiunazhi”. Në një aktakuzë voluminoze, përshkruhet nga ana e Prokurorisë Speciale aktiviteti kriminal të cilën e kanë kryer, në mënyrë që t’i spiunonin Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë së Serbisë (BIA). Çka spiunonte Qerimi tek BIA?
Gazeta Insajderi ka arritur ta sigurojë dosjen e Prokurorisë Speciale, në të cilën specifikohet se Shabani dhe Qerimi e informonin mbi gjendjen e sigurisë në Kosovë Srgjan Roshiqin, një zyrtar i lartë të BIA’s.
Prokuroria Speciale në aktakuzën ndaj të dyve thotë se Muharremi ka të punësuar një numër të familjarëve nëpër institucione të drejtësisë dhe ka kontakte me policsë e zyrtarë të AKI’së.
“Po ashtu, i pandehuri, ka të punësuar një numër të familjarëve në institucione të drejtësisë dhe administratës publike, pastaj ka kontakte të vazhdueshme me zyrtar policor, të AKI-së, e që përmes këtyre kontakte ka rrezikuar rendin juridik dhe të sigurisë në Kosovë, nga informacione që ka siguruar i ka transmetuar te shërbimi serb BIA”, thuhet në dosje.
Prokuroria Speciale thotë se Qerimi përmes komunikimit me Roshiq për BIA’n ka mbledhur informacione për luftën e UÇK’së, veprat kriminale në Kosovë, emrat e mbiemrat e eprorëve të Policsië së Kosovës e Inspektoratit Policor të Kosovës.
“Se i pandehuri ka kryer veprën penale si në dispozitivin e II-të të kësaj aktakuze, vërtetohet edhe nga informacionet dhe të dhënat që ka siguruar nga veprimtaria e ti e që ka të bëjë me bëjnë me korrupsion, fajde si dhe figurat te institucioneve te ndryshme te sigurisë, AKI-së, Eprorë Policorë, si dhe emra te huaj të nacionalitet serb apo ndërkombëtar”, thuhet mes tjerash në dosje.
Aty përmendet se, nga materialet e konfiskuara nga telefoni i Qerimit, Prokuroria ka mësuar se ky i fundit ka përmendur emra të zyrtarëve të lartë të AKI’së dhe SHISH’it.
“Pastaj i pandehuri Qerimi, ka evidentuar edhe disa emra të personave ku disa nga ta janë eprorë të lartë të Policisë si dhe ka evidentuar edhe raportet e brendshme që kanë mundur ti kenë brenda institucionit të Policisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme”, vijon dosja.
Pos tjerash, atij në telefon iu janë gjetur edhe emrat e dëshmitarëve të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në rastin e ish-krerëve të UÇK’së.
Në njërën nga materialet e prezantuara në aktakuzë, është edhe një letër që Bedri Shabani ia ka përcjellë kryeprokurores së Zyres së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West. Në atë letër, siç e përshkruan aktakuza, Shabani kërkon “drejtësi” dhe do që të jetë dëshmitar i saj.
Shabani i prezantohet asaj si “ish-agjent sekret i UÇK’së i infiltruar në institucionet e larta të ish-Jugosllavisë“.
“…të jetë dëshmitar i saj, dhe jo dëshmitar i rremë, e i manipuluar nga ish Kryeprokurori Jack Smith. Kërkojmë drejtësi, dhe shpresojmë se Ju dhe prokuroret dhe hetuesit që ju që drejtoni do të nxjerrni të gjithë kriminelet para drejtësisë, urdhërdhënësit, vrasësit dhe ata që ndihmuan dhe fshehën krimet. Ju keni mbështetjen tonë dhe jemi të gatshëm të ofrojmë dëshmi dhe fakte të reja për të zbardhur të vërtetën…. Bedri Shabani ish agjent sekret i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i infiltruar në institucionet më të larta të RSF të Jugosllavisë”, thuhet në letrën, të cilën e kanë siguruar si provë organi i akuzës.
Në një shënim tjetër të përgjysmuar, të evidentuar në aktakuzë, Shabani shpreh dyshime se punët s’po kryhen sipas planifikimeve për krimet e kryera gjatë luftës.
“Nga ky shenim vërtetohet se i pandehuri, i ka shkruar leter “Kryeprokurores se Gjykates Speciale” znj. Kimberly West, por se shkresa eshte e pergjysmuar. Megjithate, e njejta shkrese ndodhet edhe ne dosjen e marre nga shtepia e tij, ku përmes saj shpreh dyshimet per krime të kryera gjatë luftës së UÇK-së, dhe është i brengosur se punët nuk jane duke shkuar sipas planifikimeve dhe se (pandehuri Shabani), është i gatshem të bashkëpunoj me ta (Zyrën e Prokurorit Special)”, thuhet ndër të tjera në aktakuzë.
Po ashtu, në një shkrim tjetër që përfshihet në aktakuzë, Shabani kërkon që të hetohet më shumë përreth Spitalit Ushtarak të Zonës Operative të Nerodimes në Mollopolc të Shtimes.
“E nderuar zonja Kryeprokurore e Gjykatës Speciale, znj. Kimberly West. Ju lutem mos ndaloni, hetoni më shumë rreth Spitalit Ushtarak të Zonës se Nerodimes në Mollopolc”, thuhet në shënim që mban datën e 17 marsit të 2024-ës.