Gazetari, Florent Zeqaj ka deklaruar se siguria e Kosovës është më e madhe në krahët e ShBA-ve sesa në krahët e NATO-s.
Zeqaj vlerëson kështu për shkak të disa deklarimeve se NATO rrezikon të shpërbëhet për shkak se po shihet si e pafuqishme.
Ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1 ka shtuar se beson që Kosova duhet të rreshtohet më shumë krah fuqive të mëdha.
“Siguria e Kosovës nuk është e madhe në krahët e NATO-s sa është e madhe në krahët e SHBA-ve. SHBA janë në NATO por kemi pasur disa qëndrime dhe deklarime kur është folur në zyret më të mëdha të fuqive botërore që NATO po rrezikon në njëfarë forme shpërbërjen e saj për shkak se po shihet si e pafuqishme, në atë kuptimin që edhe liderët e shteteve më të mëdha kanë kërkuar krijimin e një ushtrie të re, ushtrinë evropiane. Është një polarizim i thellë edhe unë besoj që shteti i Kosovës duhet të rreshtohet krah fuqive të mëdha natyrisht NATO-s por më shumë sytë nga shteti i Amerikës”, ka thënë ai.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, të martën ka qëndruar për vizitë në Kosovë e cila ka përfshirë takime me liderët e vendit.
Rutte në kuadër të vizitës zyrtare në Prishtinë dha mesazhe të qarta se NATO-ja është e përkushtuar për të ofruar siguri dhe stabilitet në Kosovë.
Ai mes tjerash kërkoi që të ketë progres në dialog mes Kosovës dhe Serbisë ku tha se ka nevojë për kompromise.