Analisti, Selam Shkodra ka deklaruar se presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq i është tkurrur shumë pushteti.
Sipas tij në momentin që pushteti fillon përdorimin e dhunës në mënyrë të pakontrolluar e ndjen rënien e tij.
“Sipas gjitha gjasave me aq sa i kam përcjellur zhvillimet Vuçiqit i është tkurrur shumë pushteti në Serbi. Tashmë ka filluar t’i përdorë mbetjet e ish-sistemit duke qenë brutal ndaj protestuesve paqësor dhe mendoj që në momentin që fillon pushteti të përdorë dhunën në mënyrë të pakontrolluar e ndjen rënien e tij”, ka thënë Shkodra.
Ndërkaq, mosdalja në skenë e liderëve të protestave në Serbi për Shkodren është e qëllimshme.
“Me gjasë është e qëllimshme mosdalja e liderëve në skenë. Mendoj që kanë lider gjithë këto kërkesa shumë racionale, që janë janë këmbëngulëse por është e qëllimshme për shkak të përvojës në të kaluarën që kanë pasur me zyrtarë siç është Vuçiqi”, ka shtuar ai.
Studentët në Serbi tash e katër muaj po organizojnë tubime në disa qytete të mëdha në Serbi, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 15 personave në Novi Sad, pas shembjes të një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024.
Studentët, përmes bllokadave dhe protestave, po kërkojnë publikimin e të gjithë dokumentacionit lidhur me rikonstruksionin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin, ndjekjen penale të sulmuesve të pjesëmarrësve në protestat e deritanishme, si dhe pezullimin e procedurave ndaj të arrestuarve në demonstrata.