Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sërish ka folur për letrën që ia ka dërguar KFOR-it për mosdërgimin e FSK-së në veri pa leje të misionit të NATO-s në Kosovë.
Pas mbledhjes së Qeverisë, ai ka tentuar të sqarohet për këtë çështje duke thënë se është keqkuptuar letra e tij.
Ai ka vlerësuar se letra e dërguar nuk është rizotim.
Megjithatë, Maqedonci ka treguar se Kosova do ta respektoj marrëveshjen e vitit 2013.
“Shpesh është keqinterpretuar një letër që kam shkruar për komandantin e KFOR-it. Asnjëherë nuk kam bërë rizotim. Ministri i Mbrojtjes nuk bën rizotim të një letre, e cila është bërë si zotim nga një kryeministër për sekretarin e përgjithshëm të NATO-s”.
“Ne kemi thënë se do të respektojmë atë zotim, pavarësisht se nuk pajtohemi nga kufizimet që ka për veprim FSK-ja në veri, pa koordinim paraprak me KFOR-in. Do të vazhdojmë të respektojmë këtë zotim, duke koordinuar paraprakisht me KFOR-in para se të dërgojmë trupa në veri”, ka thënë Maqedonci.