​Kelmendi: Seancat gjyqësore nuk po mbahen për shkak të numrit të pamjaftueshëm të prokurorëve

Aktuale

​Kelmendi: Seancat gjyqësore nuk po mbahen për shkak të numrit të pamjaftueshëm të prokurorëve

Më: 13 mars 2025 Në ora: 14:24
Foto ilustrim

Seancat gjyqësore në Kosovë nuk po zhvillohen për shkak të numri të pamjaftueshëm të prokurorëve. Dhe këto mungesa lidhen direkt me mungesën e buxhetit që është ndarë në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Këto ishin shqetësimet që u paraqiten në mbledhjen e sotme të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi tha se në mungesë të prokurorëve seancat gjyqësore nuk po mbahen.

Ai kërkoi që KPK të insistoj tek Qeveria e Kosovës për të ndarë mjete buxhetore për plotësuar numrin e kuadrove të nevojshëm për sistemin prokurorial, raporton KosovaPress.

“Në lëndët primare që i ka prokurori i shtetit aty ku ka aktvendim për fillim të hetimeve efikasiteti është 95 % që në krahasim me vitin 2023 që ishte 89 % dhe vitin 2022 që ishte më i ulët tregon një rritje të efikasitetit edhe përkundër vështirësisë që e kanë përcjell sistemin prokurorial... Në këtë javë ne kemi pas problemet e para që i kam paralajmëruar edhe më herë gjykata edhe pse kanë gjyqtarë më shumë...Seancat gjyqësore nuk po munden me u mbajt për shkak se nuk ka numër të mjaftueshëm të prokurorëve jo më larg se këtë javë ka pas problem Gjykata Themelore e Pejës sepse nuk ka pas prokurorë që mund të shkojnë në seanca... kemi ardhur në një situatë kur buxheti i Kosovës ndahet për numër të gjyqtarëve të cilët nuk mund t’i mbajnë seancat sepse nuk ka numër të mjaftueshëm të prokurorëve”, theksoi ai.

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit tha se Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë mjete buxhetore as për pozitat që janë të parapara me ligj.

Ai shtoi se në mungesë të buxhetit po paguhen shuma marramendëse për qirat e objekteve ku janë të vendosura Këshilli Prokurorial i Kosovës por edhe Prokuroria Themelore e Mitrovicës dhe Prizrenit.

“Qeveria nuk ka ndarë mjete buxhetore as për pozita të cilat me ligje janë të parashikuara. Janë me vite që neve nuk kemi referenta të ndërmjetësimit edhe pse ligji për ndërmjetësim ka paraparë këto pozita, janë me vite kur nuk janë plotësuar pozitat për bashkëpunëtor profesional edhe pse ligji i KPK parasheh që secili prokurorë me pas një bashkëpunëtor profesional. Pra, mungesa e këtyre mjeteve buxhetore e vështirëson në masë të madhe punën e gjithë sistemit, mungesa e mjeteve për ndërtimin e objekteve për blerjen e objekteve sot e keni Mitrovicën, Prizrenin që për shkaqe burokratike nuk realizohet kërkesa për tu gjetur vendi dhe për tu ndërtuar objekti. Ne paguajmë shuma marramendëse për qira edhe objekti në të cilin jemi neve këtu sot është objekt me qira dhe nuk e dimë kur a do të jemi nesër apo pasnesër në këtë zyrë dhe ku të shkojmë.. Kur neve jemi në këso situata si pritet nga ne efikasitet më i madh kur kushtet tona të punës nuk janë të tilla që na e lehtësojnë dhe mundësojnë një efikasitet të tillë”, tha ai.

Sa i takon raport vjetor të punës së KPK-së për vitin 2024, drejtori i Sekretariatit, Sami Istrefi u shpreh se meqenëse KPK nuk i është aprovuar kërkesa për buxhet shtesë kjo ka shkaktuar vështirësi në punën e prokurorit të shtetit.

Ai njoftoi se gjatë vitit 2024 KPK ka realizuar 96.17 % të buxhetit.

“Gjatë vitit 2024 bazuar në ligjin për buxhetin e Kosovës për vitin 2024 Këshillit i janë ndarë buxhet prej 17 milionë e 265 mijë e 867 euro edhe pse kërkesa jonë ka qenë 19 milionë e 760 mijë e 377 euro dhe kjo kërkesë nuk është aprovuar nga ministria e Financave dhe Transfereve për t’i mbuluar disa pozita ligjore që kemi në sistemin prokurorial të Kosovës ku ka ndikuar direkt në realizimin e aktiviteteve të sistemit prokurorial. Si kërkesë themelore ndaj qeverisë së Kosovës dhe ministrisë së Financave ka qenë edhe lejimi i mjeteve për ndërtimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës kur dihet se Prokuroria Themelore dhe e Apelit ballafaqohen me kushte të vështira të punës së prokurorit të shtetit ashtu edhe administratë”, theksoi Istrefi.

Mungesa e buxhetit, sulmet nga institucionet tjera karshi KPK-së, mos dekretimi i kryeprokurorit të shtetit ishin disa nga sfidat me të cilat u përballë sistemi prokurorial i Kosovës gjatë vitit 2024.

“Mos plotësimi i përbërjes së Këshillit me dy anëtarë, sulmet nga institucionet tjera me qëllim të dëmtimit të besimit të publikut në sistemin prokurorial të Kosovës, mungesa e bashkëpunimit me institucionet tjera për realizimin e takimeve nga deklarata e përbashkët e zotimeve, dorëheqja prokurorëve të komunitetit serb, dorëheqja e anëtarëve të KPK nga radhët e Odës së Avokatëve të Kosovës, buxheti i pamjaftueshëm për të mbuluara të gjitha obligimet e krijuara. Mos dekretimi i kryeprokurorit të shtetit që mbetet tash e sa kohë”, theksoi Istrefi.

Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi u shpreh se gjatë vitit 2024 Prokurori i Shtetit ka pas në punë mbi 150 mijë kallëzime penale, prej tyre mbi 50 mijë janë pranuar në punë gjatë vitit të kaluar, ndërsa pjesa tjetër është e trashëguar ndër vite.

“Prokurori i shtetit gjatë vitit 2024 ka pas në punë gjithsej 150 mijë e 204 kallëzime penale nga regjistri PP kryes të njohur, nga regjistri PPM kryes të mitur, PPN lëndë të ndryshme, PJN ndihmë juridike ndërkombëtare BPP kryes të panjohur. Nga ky numër i lëndëve 99 mijë e 523 ose 66.26% janë të trashëguara ose si lëndë të pazgjidhura nga vitet paraprake, ku kjo përqindje 50. 681 ose 33.74% janë pranuar në punë gjatë vitit 2024. Gjatë këtij vitit nga ky numër i lëndëve 45 mijë e 481 ose 30.28% e lëndëve në punë janë zgjedhur apo proceduar në organet kompetente. 104 mijë e 173 ose 69.72% e të gjitha këtyre lëndëve janë në proces të trajtimit nga ana e prokurorit të shtetit. Në vitin 2024 janë bartur gjithsej 99 mijë e 523 lëndë, kallëzime penale”, tha ai.

Po ashtu, gjatë kësaj mbledhje të KPK u miratua edhe plani i punës i Sekretariatit të KPK për vitin 2024 teksa u theksua se me ligjin për buxhet nuk është aprovuar asnjë pozitë shtesë.

Gjatë paraqitjes së planit të punës së Këshillit Prokurorial të Kosovës u theksua rekrutimi i 24 prokurorëve, derisa u tha se për 4 vende të rezervuara për komunitetin serb nuk ka pas interesim.

Sa i takon planit Strategjik dhe Plani i Veprimit i Sistemit Prokurorial për vitet 2025-2027 i cili ishte në rend dite në mbledhjen e sotme, për shkak të disa rekomandimeve nga partnerët ndërkombëtarë konkretisht Zyra e Bashkimit Evropian ky plan është shtyrë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat