Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar masakrën e Tregut të Mitrovicës, teksa shënon 26-vjetorin e saj.
Kurti thotë se këto masakra nuk duhet të mbesin të pandëshkuara e as të harrohen.
“Më 13 mars 1999, sulmi me granata i forcave serbe përgjaku Tregun e gjelbër në Mitrovicë. Një mëngjes i zakonshëm tregu, u shndërrua në tragjedi, me shtatë civilë të vrarë. Më i vjetri ndër ta ishte 65 vjeç, ndërsa më e reja vetëm 5 vjeçare. Ky sulm ishte pjesë e strategjisë së terrorit dhe spastrimit etnik të Serbisë në Kosovë. Kjo masakër, sikurse ajo në tregun Markale në Sarajevë, e qindra masakra të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë. Masakrat si kjo nuk mund të harrohen dhe nuk mund të mbeten të pandëshkuara”.
“Sot përkujtojmë viktimat e pafajshme që humbën jetën në këtë masakër. Ndajmë dhembjen me 128 të plagosurit, shumë prej të cilëve mbetën me pasoja të përjetshme. Teksa nderojmë kujtimin e tyre, ritheksojmë që drejtësia është domosdoshmëri për familjet e viktimave dhe të mbijetuarit e të gjitha krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë. Në këtë ditë përkujtimore, përkulemi me nderim para jetëve të humbura dhe kujtojmë me krenari qëndresën e popullit tonë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!”, ka shkruar Kurti në Facebook.