Sorensen nesër takohet edhe me Kurtin e Bislimin

Aktuale

Sorensen nesër takohet edhe me Kurtin e Bislimin

Më: 16 mars 2025 Në ora: 22:44
Peter Sorensen

Kryeministri në detyrë Albin Kurti do të presë të hënën në takim përfaqësuesin e ri të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Pas takimit me Kurtin, emisari special evropian do të pritet në takim edhe nga zëvendëskryeministri i parë në detyrë, Besnik Bislimi.

Takimi Kurti-Sorensen do të fillojë në orën 10:30 në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës. Paraprakisht, emisari i BE-së do të pritet në takim nga presidentja Vjosa Osmani në Kabinetin e Presidentes nga ora 09:45.

Kjo është vizita e parë e Sorensen pas marrjes së postit në muajin shkurt, duke e zëvendësuar paraardhësin e tij, Miroslav Lajçak.

Shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kallas javë më parë ka thënë se gjatë muajit mars do të shikojnë të funksionalizojnë dialogun dhe të shohin sesi të ecet përpara.

Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit në vitin 2023, por palët ende nuk kanë filluar zbatimin e saj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat