Pas takimit me Sorensen deklarohet Qeveria e Kosovës, tregon çfarë diskutuan dhe kërkesën e kryeministrit

Aktuale

Pas takimit me Sorensen deklarohet Qeveria e Kosovës, tregon çfarë diskutuan dhe kërkesën e kryeministrit

Nga: Bota sot Më: 17 mars 2025 Në ora: 06:58 Përditësuar në ora: 17:51 më 17.03.2025
Foto nga takimi

Sorensen: Palët vendosin për kompromise potenciale

I ngarkuari i ri i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, takoi në Prishtinë Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe zhvilloi një takim të veçantë me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi. Danezi Peter Sorensen, i cili pason në këtë detyrë sllovakun Mirosllav Lajçak, ende nuk ka ndërmjetësuar ndonjë takim të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, Sorenseni tha shkurt se "gjatë takimit me kryeministrin Albin Kurti është biseduar rreth mënyrës se si mund të ecet përpara me procesin e dialogut” dhe këtë zhvillim e cilësoi si "fillim të mirë”.

Sorensen: Kompromise apo jo, u takon palëve për ta përcaktuar

"Kemi pasur një bisedë rreth mënyrës se si procesi mund të vazhdojë dhe të ecë përpara, kështu që është një fillim i mirë. Qëllimi, sigurisht, është që procesi të vazhdojë dhe të ecë përpara”, tha Sorensen.

Ai nuk deshi t'u përgjigjej pyetjeve për kompromise të mundshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por tha se "kjo u takon palëve ta përcaktojnë”.

"Dialogu është për t'u siguruar që të ketë takime. Nëse kjo nënkupton kompromise potenciale apo jo, u takon palëve për ta përcaktuar", tha Sorensen.

Osmani :"Kosova meriton trajtim të barabartë në dialog e në rrugën drejt BE”

Para takimit me Kurtin, Peter Sorensen takoi Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se "Kosova meriton trajtim të barabartë në procesin e dialogut dhe në rrugën drejt BE”.

"Presidentja Osmani konfirmoi përkushtimin e Kosovës ndaj procesit të lehtësuar nga BE-ja, duke theksuar rëndësinë e një zbatimi të plotë dhe të balancuar të marrëveshjeve të arritura. Në takim me z. Sorensen, Presidentja Osmani paraqiti vërejtjet e saj për Draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga BE, vërejtje të cilat duhet të trajtohen me seriozitet në mënyrë që të parandalohet rrezikimi i funksionalitetit të shtetit të Kosovës”, thuhet në një komunikatë nga zyra e Presidentes.

Osmani ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, ndërsa ripotencoi "shkeljet e vazhdueshme të Serbisë ndaj marrëveshjeve të arritura në Bruksel, përfshirë shkeljen e nenit 4 të marrëveshjes së shkurtit 2023”.

Image
Sorensen takon Presidenten Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani "ritheksoi gjithashtu nevojën për heqjen e masave të padrejta të vendosura nga BE në qershor 2023”.

"Kosova është dëshmuar tashmë si palë konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit, prandaj mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po i dëmton jo vetëm qytetarët tanë, por edhe balancin e nevojshëm në dialog", theksoi Presidentja Osmani.

E paqartë se kur Sorenseni mund ta ndërmjetësojë takimin e parë ndërmjet palëve

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, vizitoi për herë të parë Prishtinën qëkur mori detyrën në fillim të muajit shkurt. Nga Prishtina, Sorensen udhëton drejt Beogradit.

Në takimin e fundit që delegacionet e Kosovës dhe Serbisë zhvilluan në Bruksel më 17 dhjetor 2024, nën ndërmjetësimin e Mirosllav Lajçakut, palët u pajtuan për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur.

Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, muajin e kaluar tha se, pas kritikave që ka dëgjuar rreth formatit të deritanishëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ajo po shqyrtonte, së bashku me Sorensenin, mundësinë për ta bërë më funksional këtë proces.

Kosova dhe Serbia, që nga viti 2011, zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së. Gjatë pesë viteve të fundit, dialogun Kosovë-Serbi e ndërmjetësoi i ngarkuari i BE-së, Mirosllav Lajçak, dhe gjatë kësaj periudhe, në fillim të vitit 2023, palët arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Kjo marrëveshje nuk është nënshkruar nga palët, por BE thotë se ajo është ligjërisht e detyrueshme si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë.

Megjithatë, për momentin nuk është e qartë se kur i ngarkuari i ri i BE-së për ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi, Sorensen, mund ta ndërmjetësojë takimin e parë ndërmjet palëve. 57-vjeçari Peter Sorensen e njeh mirë rajonin. Më herët, ai ishte i angazhuar në Kosovë në kuadër të Misionit të OKB-së, UNMIK./DW

Kurti: Kryeterroristi Radoiçiq dhe grupi i tij t`i dorëzohet Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen.

Në këtë takimi të parë zyrtar në Zyrën e Kryeministrit, ai e uroi për rolin e ri z. Sørensen dhe e njoftoi me zhvillimet e fundit në vend dhe për hapat drejt formimit të institucioneve në legjislaturën e 9-të.

Kryeministri kërkoi nga emisari Sørensen që BE-ja të heqë menjëherë masat e padrejta kufizuese ndaj Kosovës. Ai theksoi kontradiktën e pashëndetshme për BE-në, vlerat themelore të saj dhe për reformat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës me mbështetje të madhe të qytetarëve, që në të njëjtën periudhë kur vendi shënon ngritjen më të madhe demokratike, edhe sipas indekseve ndërkombëtare, të jetë njëkohësisht nën masa kufizuese të BE-së.

Diskutuan për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE dhe për rrugën përpara. 

"Kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit. Duke rikujtuar sulmin paramilitar në Banjskë në shtator të vitit 2023 dhe sulmin terrorist në Ibër-Lepenc në nëntor të vitit të kaluar, ai gjithashtu nënvizoi rrezikun që kryeterroristi Millan Radoiçiq, bashkë me grupin e tij, vazhdon të paraqes për sigurinë e vendit dhe normalizimin e marrëdhënieve në kuadër të procesit të dialogut për sa kohë që vazhdon të jetë i lirë në Serbi, përkundër pranimit të fajësisë para autoriteteve në Serbi dhe aktakuzës 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës. Andaj, përsëriti thirrjen, që Radoiçiq dhe grupi i tij t'i dorëzohet Kosovës për gjykim", thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

 

Sorensen: Do të shkojë edhe në Beograd dhe do të vlerësoj se ku jemi, dialogu është për kompromise

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka thënë se qëllimi tij është që të shtyjë përpara procesin e dialogut.

Ai para mediave pas takimit me Kurtin, tha se ishte një fillim i mirë.

“Ishte një takim prezantues dhe ne biseduam sesi procesi mund të vazhdojë dhe të lëvizim përpara, dhe si i tillë ishte një fillim i mirë. Qëllimi ynë është që procesi të vazhdoj dhe të lëvizim përpara”, tha Sorensen.

Sorensen theksoi se pas Kosovës do të shkoj edhe në Beograd. I pyetur nga gazetarët se a mund të ketë kompromise, ai tha se kjo caktohet nga palët.

“Dialogu është që të pajtohemi dhe kompromiset do të caktohen nga palët . ky është dialogu këtë e kemi bërë që nga viti 2011”, tha Sorensen.

Emisari i BE-së u pyet edhe për mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë, respektivisht qendrave  për punë sociale dhe postës.

Ai tha se duhet punuar që njerëzve tu sigurohet shërbim i mirë.

“Duhet të punojmë të sigurohemi që njerëzit të shërbehen në mënyrën më të mirë të mundshme dhe këtë do të përpiqemi ta bëjmë”, u shpreh Sorensen.

Përfundon takimi me Sorensenin, Kurti s’deklarohet për media

Ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe të dërguarit të Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi Peter Sorensen që u mbajt në ndërtesën e Qeverisë në Kosovë.

Pas këtij takimi Kurti nuk u prononcua për media.

​Sorensen në takim me Kurtin

Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun, Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka mbërritur në objektin e qeverisë së Kosovës për takim me kryeministrin Albin Kurti.

Sorensen pas takimit me Kurtin do ketë takim të veçantë edhe me kryenegociatorin kosovar për dialog, Besnik Bislimi.

Mediat u lejuan të marrin pamje vetëm në hyrje të objektit, derisa nuk dihet nëse Sorensen do të deklarohet për media pas përfundimit të takimeve.

Emisari i BE-së do të qëndrojë në Kosovë deri më 19 mars. Kjo është vizita e tij e parë në vend prej kur ka marrë detyrën më 1 shkurt.

Ai është pasues i ish emisarit Miroslav Lajçak.

Nis takimi Osmani-Sorensen

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, do të qëndrojë në Kosovë, në vizitën e tij të parë prej kur mori këtë post duke e zëvendësuar paraardhësin e tij, Miroslav Lajçak.

Emisari i BE-së u prit në takim nga presidentja Vjosa Osmani në kabinetin e presidentes ku edhe nisi takimi.

Më pasm kryeministri Albin Kurti do ta presë në takim Sorensenin në orën 10:30 në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Pas takimit me Kurtin, emisari i BE-së do të takohet edhe me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi.

-----

Emisari i ri Bashkimit Evropian për dialogun, danezi Peter Sorensen sot do të zhvillojë vizitën e tij të parë në Kosovë si i ngarkuar i BE-së për këtë proces.

Sorensen sot do të takohet me shefen e shtetit, Vjosa Osmani në zyrën presidenciale.

Siç është bërë e ditur nga zyra e presidentes, takimi mes tyre do të nisë paraditen së hënës në ora 09:45.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Përfaqësuesin e ri të BE-së për Dialog, Peter Sørensen. Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit.

Emisari i ri Bashkimit Evropian për dialogun, danezi Peter Sorensen, në orën 10:30 do të ketë takim edhe me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Pas takimi me kryeministrin Kurti, Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, do të pritet në takim edhe nga Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat