Armëmbajtja pa leje, faktorët socio-ekonomikë dhe mënyra e jetesës janë disa prej shkaqeve që shtyjnë në kryerjen e vrasjeve, thotë njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami.
Islami thotë për KosovaPress se shteti ka nevojë për një strategji të re, pasi “mekanizmat represivë janë të pamjaftueshëm për të luftuar numrin e lartë të vrasjeve”.
Ndër të tjera, thotë ai, duhet të ketë vetëdijesim të qytetarëve e ligjërata në shkolla.
Islami: Kjo është shqetësuese për një shoqëri në vendin tonë me një popullatë aq të vogël
“Institucionet e Kosovës duhet të mendojnë të ndryshojnë strategji, që përmes vetëdijesimit të qytetarëve, përmes vetëdijesimit të familjeve, shkollave, organizatave joqeveritare, vet institucionet të shfrytëzojnë median e shkruar dhe elektronike që të bëhet vetëdijesimi në shkallë vendi. Kur kihet parasysh se disa nga këto vrasje që pamë kohën e fundit konsiderohen për motive banale, kjo tregon se sa është në krizë shoqëria kosovare që kemi dalë 26 vjet nga lufta. Prandaj, Kosovës i duhet një strategji nga ana e institucioneve të Kosovës, sepse me mekanizma represiv është e pamundur që të parandalohen ose zvogëlohet minimalisht numri i vrasje në Kosovë. Sepse Kosova ka rreth 10 mijë policë në shkallë vendi, është e pamundur që në secilin vend ku ndodh një rast i tillë të jetë një polic”, thotë Islami.
Një tjetër shqetësim që ngrit Islami janë armëmbajtjet pa leje.
Islami: Ka numër të madh të armëve pa leje
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të bëhet një vetëdijesim sa i përket armeve në Kosovë. Pra, 26 vite nga përfundimi i luftës në Kosovë konsiderohen rreth 270 mijë armë, një numër jashtëzakonisht e madh. Konsideroj që në raste të tilla çfarë ne jemi, duhet të ndërmerren masa shpejtë dhe urgjente që të gjejnë metodë. Unë kam propozuar edhe në vitet e kaluara që për dorëzimin e armeve të zjarrit, përveç vetëdijesimit, të stimulohen nga shteti, madje të kërkojnë edhe fonde nga Bashkimi Evropian që t’u kthehet në forma të ndryshme, pra, të dorëzohet një armë dhe t’u kthehet një shumë e parave, ose një pajisje shtëpiake, të gjejnë mënyra, sepse arma vret. Dhe një numër aq i madh i rasteve që kemi vetëm tash kohën e fundit po bëhen me armë zjarri”, nënvizon Islami.
Megjithatë, Islami thotë se armëmbajtja pa leje është vetëm një nga shkaqet, pasi “faktorët socio-ekonomikë dhe mënyra e jetesës kanë ndikim të madh në përdorimin e armëve”.
Islami: Armëmbajtja pa leje është vetëm një nga shkaqet, sepse ndikojnë shumë faktorë
“Armëmbajtja pa leje është vetëm një nga shkaqet, sepse ndikojnë shumë faktorë, faktorët socio-ekonomik dhe mënyra e jetesës. Por, besoj se armëmbajtja pa leje është e pajustifikueshme, dhe për fat të keq ata të cilët kanë armë në shtëpinë e tyre nuk kanë instruksione se si të magizionohet një armë, sepse ajo sekonda psikike në përdorimin e armës vjen në pyetje. Pra, një armë duhet të ketë rregulla strikte”, shprehet Islami.
Islami gjithashtu përmend rëndësinë e konfiskimit të armëve të paligjshme.
Islami: Të konfiskohen armët pa leje
“Duhet të mendohet në dy rrafshe, pra, në rrafshin e vetëdijesimin të qytetarëve dhe në konfiskimin e armeve. Edhe drejtësia duhet të ketë parasysh se ata të cilët janë me precedent penal të mos ju lehtësohet, por të vuajnë dënimin, sepse qëllimi i dënimit është të risocializohet personi në fjalë. Konfiskimin e armeve pa leje, por edhe armëve të cilat janë të destinuara të mbahen në shtëpi dhe personi në mënyrë të paautorizuar bartë armen, t’i konfiskohet dhe t’i shqiptohet masa e dënimit”, thotë Islami.
Vetëm në tre ditët e fundit kanë ndodhur katër vrasje - në tri raste të ndara - si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Të dielën më 23 mars në Vushtrri ka vdekur një 19-vjeçar i cili dyshohet të jetë vrarë nga një bashkëmoshatar i tij.
I dyshuari e ka pranuar fajësinë dhe ndodhet në paraburgim.
Një tjetër vrasje – kjo e dyfishtë – ka ndodhur një ditë më vonë, më 24 mars, gjithashtu në Vushtrri.
Lidhur me ketë rast, dyshohet se një burrë në fshatin Stanoc ka vrarë një grua e më pas vetën.
Vrasja tjetër ka ndodhur të martën mbrëma, më 25 mars në Prishtinë, transmeton KosovaPress.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën “Rrustem Hyseni”. Një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur. I dyshuari për këtë rast ndodhet në arrati.
Policia e Kosovës tha të mërkurën për KosovaPress se vetëm gjatë vitit 2024 janë konfiskuar 1746 armë, ndërkaq një vit më herët numri ishte 1392 armë.
Pas këtyre rasteve, në Kosovë pati reagime.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha të mërkurën duhet të ketë veprim të menjëhershëm institucional dhe reflektim shoqëror, derisa theksoi se organet e rendit duhet të trajtojnë me seriozitet rastet dhe të sigurojnë drejtësi për viktimat.
Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi paralajmëroi se PDK, në legjislaturën e re, pas konsolidimit të institucioneve dhe qeverisë së re, do të iniciojë ndryshimin e Kodit Penal dhe legjislacionit përkatës për të ashpërsuar dënimet për armëmbajtjen pa leje.
E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se “dora e shtetit duhet të ndihet, para së gjithash, në sigurimin e rendit dhe qetësisë”.