Punën e masazhit nuk është se e kishte menduar ndonjëherë. Lëre që s’kishte ndonjë përvojë, as që i ishte nisur ndonjëherë rrugës që të studionte ndonjë fushë që lidhej me masazhin.
S.M. një vajzë e re, të cilën gazetarja e Kiks Kosovës e takoi kur u maskua si një studente që po kërkonte punë ku mund të fitonte ca para, rrëfeu pa filtra për punën e saj si masazhiere.
Derisa po prisnin për menaxheren e cila do të ndante punët e përgjegjësitë, edhe për gazetaren, apo siç mendonin ato, punëtoren e re, S.M, tregoi se si që në ditën e parë të punës ishte tmerruar nga klienti, i cili kishte tentuar ta prekte.
Para se të vinte në këtë qendër masazhi, S.M. kishte punuar si shitëse në një market, mirëpo, i dashuri i saj të cilin nuk kishte shumë kohë që e kishte njoftuar, ia kishte ofruar këtë vend pune.
I dashuri i saj ishte edhe vëllai i pronarit të qendrës së masazhit, andaj edhe lehtësisht e kishte ftuar që të punonte aty.
Me xhelozinë e të dashurit, i cili vet e kishte sjellur në atë vend punë, vazhdon të përballet edhe sot. Por që edhe vet S.M. tregon se ka klient që të ngacmojnë, e ka edhe të tillë që nuk të ngacmojnë.
Madje, dita e parë e punës, ishte vet tmerri.
Kishte bërtitur sa s’kishte menduar që kishte aq shumë zë kur klienti kishte tentuar që ta ngacmonte seksualisht.
Duket që nuk i la shenjë tmerri i përjetuar atë ditë meqë nevoja a ambicia që të fitoi më shumë para, e bëri të harroj e të mos e ndalë këtë përvojë pune.
Kjo ngase siç rrëfen vetë ajo përqindjet e bakshishet ishin të mëdha.
Inicialet e emrit të saj janë shumë larg nga emri të cilin ajo e përdor për tu reklamuar e njohur me klientë.
Nga S.M., vajza njihet emrin Jehona.
Si e ashtuquajtura Jehona, ashtu edhe të gjitha vajzat e tjera që punojnë në këtë qendër masazhi, reklamojnë trupat e tyre, sikur masazhi do ta kryejnë me trup e jo me duar.
Madje, emërtimi edhe ndryshon.
Fillimisht, S.M. tregon se emrin e kishte Vjosa, mirëpo meqë rregullat e kompanisë e ndalojnë rreptësisht që të zbulohet identiteti nga klientët, në momentin që vërejnë diçka të çuditshme, ua ndryshojnë emrin masazhiereve.
Pikërisht “sheficen” të cilën e përmendi S.M., ne kishte kohë që po e prisnim. Kishte kaluar ora e parë, po kalonte edhe e dyta e ne vazhdonim ta prisnim sheficen, të cilën “Jehona”, e thërriste “Kosi”.
Meqë “Kosi” po vonohej, S.M. ishte në njëfarë forme e obliguar t’i bënte muhabet koleges së re, që ta shtyjë kohën tutje.
Më pas, ajo tregon edhe për një formë tjetër masazhi të cilin e bëjnë. Atë lloj që futen dy vajza për të masazhuar një klient.
Fillimisht “Jehona” apo S.M. na thotë se klienti nuk ka të drejtë ta zgjedh masazhieren, mirëpo, nuk zgjatë shumë, e bie në kundërshtim me veten, kur tregon se klientët e saj e kanë kërkuar në recepsion vetë atë.
A zgjidhen vajzat kush hyn aty?
U bë ora e tretë që ne po e prisnim sheficen dhe më në fund erdhi.
Fare shkurtë, shefica u prezantua si me emrin “Olta” edhe pse emrin e kishte ndryshe nga ky emërtim. Ndonëse e pritëm gjatë, muhabeti me të ishte shumë i shkurtë.
Duket se shefica ishte e prerë.
Për kushtet e punës, nuk foli gjatë. Përveç që do të bënim një kontratë, qendra e masazhit do ta bënte pagesën e trustit dhe gjithçka tjetër, siç tha ajo sipas ligjit.
Mirëpo, për atë qëllim që kishte ardhur Kiks Kosova, nuk dukej se kishte ndonjë kriter të lartë për tu pranuar në punë.
Për të na “shishmuar” punën edhe më shumë, S.M., përmend edhe shifrat të cilat ajo i fiton për një orë masazh.