Prishtinë, 29 maj 2021 – Alpinistja jonë Mrika Nikçi, vajza më e re në botë që ngjiti shtatë majat më të larta të Tokës, ka marrë pjesë në cilësinë e ligjërueses kryesore në seminarin përmes internetit, të organizuar nga UIAA-ja, në temën “Ndërgjegjësimi për rrezikun, menaxhimi i rrezikut”.
Në seminar, shtjellimi i temës së cekur është hapur me filmin dokumentar “Uli Shtek – balansimi buzë greminës” (gjer. Ueli Steck – Auf schmalem Grat”) kushtuar njeriut që ngjiste faqet më të pjerrta të maleve, pa sigurim; njeriut që ekuilibronte rrezikshëm buzë humnerave; alpinistit zviceran Uli Shtek, i cili para tri vitesh, në Himalaje, rrëshqiti për qindra metra teposhtë, faqes së akullt të malit Nuptse, dhe humbi jetën.
Pse njerëzit sfidojnë veten deri në kufijtë e së mundshmes, pse iu hyjnë rreziqeve kaq të mëdha apo kur, dhe a do të ishte zbuluar Amerika, pa njerëz të tillë, të guximshëm? Janë vetëm disa nga shumë çështje “buzë greminës”, që ishin pjesë e temës së diskutuar në këtë panel.
FBAK dhe UIAA
Federata Ndërkombëtare e Bjeshkatarisë dhe Alpinizmit – UIAA (fr. Union Internationale des Associations d’Alpinisme) është kryeorganizata botërore që përfshin federatat kombëtare të bjeshkatarisë nga mbarë bota, anëtare e së cilës, që nga viti 2011, është edhe federata jonë kombëtare e bjeshkatarisë dhe alpinizmit - FBAK-u. Puna në UIAA është e organizuar në kuadër të departamenteve profesionale të cilat në sportet e bjeshkatarisë quhen komisione.
Që nga viti 2020, alpinistja e lartësive Mrika Nikçi është anëtare e Kryesisë së Komisionit të të Rinjve të UIAA-së (ang. UIAA – Youth Commisssion) dhe Ambasadore e parë e Komisionit të të Rinjve të UIAA-së. Në Federatën Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës – FBAK, Ambasadorja Mrika Nikçi ushtron detyrën e Kryetares së Komisionit të të Rinjve.
FBAK-u mburret, uron dhe falënderon Mrikën për përfaqësimin e mrekullueshëm të traditës tonë bjeshkatare mbi 90 vjeçare, dhe inkurajon alpinistet dhe alpinistët tjerë që të mbështesin punën e FBAK-ut dhe UIAA-së në çfarëdo forme, por edhe përmes kyçjes së tyre në komisionet profesionale të FBAK-ut.
Ngjitje të sigurta! Abdurahim Abdushi, alpinist
Pjesëmarrësit dhe përmbajtja e seminarit