Prej datës 29 prill deri me 03 maj, në Shkup janë mbajtur mbledhjet pranverore të – UIAA-së International Cllimbing and Mountaineering Federation (Federatës Ndërkombëtare te Bjeshkatarisë dhe Alpinizmit), takime këto të organizuara nga Federata Bjeshkatare Alpiniste e Maqedonisë Veriore. Në këtë ngjarje ishin prezente të gjitha strukturat udhëheqëse të UIAA-së, Kryetarët dhe anëtarët e komisioneve përkatëse.
Për herë të parë, gjatë këtyre ditëve u realizuan mbledhjet e përbashkëta të tri asociacioneve të rëndësishme të bjeshkatarisë dhe alpinizmit ndërkombëtar, dhe atë:
- UIAA - International Climbing and Mountaineering Federation
- EUMA – European Union of Mountaineering Association, dhe
- BMU – Balkan Mountaineering Union.

Kosova u përfaqësua nga kryetari Arianit Nikçi, i cili është edhe anëtar i Komisionit të Bjeshkatarisë (Mountaineering Commission), që funksionon në kuadër të UIAA-së.
Përveç aktiviteteve të ndërmarra në komisione, Nikçi realizoi takimet e para për anëtarësimin e FBAK-ut në EUMA dhe BMU, me ç’rast takoi kryetarët e këtyre asociacioneve si dhe, ishte pjesëmarrës vëzhgues në Asambletë Gjenerale të EUMA dhe BMU.

Bisedimet konsiderohen si shumë të suksesshme dhe priten rezultatet pozitive përkitazi me kërkesat e FBAK-ut.
Vlen të theksohet se është trajtuar çështja e trajnimit të instruktorëve vendorë, nga ekspertët përkatës të UIAA-së, dhe licencimi i tyre. Në muajt në vijim, pritet vizita e parë e instruktorëve ndërkombëtarë.

Mrika Nikçi, ka përfaqësuar FBAK-un në takimet e Komisionit për të rinjë ( Youth Commission), e njëjta më heret është përzgjedhur ambasadore e këtij komisioni dhe tani është propozuar që të përzgjidhet si njëra prej ambasadoreve të UIAA-së në përgjithësi.
Republika e Shqipërisë, ishte e perfaqësuar nga Kryetari Artur Guni dhe ish kryetari Jani Ziso. Me të njëjtit njëherësh u bisedua per koordinimet e veprimeve, me qëllim të avancimit të komunitetit bjeshkatar dhe alpinist.
UIAA, ka marrë vendim që në vitin 2024 mbledhjet e ardhshme pranverore të UIAA-së, të mbahen në Londër ndërsa Asambleja Gjenerale do të mbahet në muajin tetor në Kanada, respektivisht në qytetin e bjeshkatarëve, Banff.