Klubi “Taraboshi Shkodër” organizon Marshimin e Përvitshëm

Alpinizem

Klubi “Taraboshi Shkodër” organizon Marshimin e Përvitshëm

Më: 15 janar 2024 Në ora: 22:24
Klubi “Taraboshi” Shkodër me mysafirët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut

Klubi “Taraboshi” Shkodër ka organizuar edhe këtë vit Marshimin e Përvitshëm.

Ai e ka zanafillën e vet rreth 13 vjet më parë në fillim muajit janarit 2010, atëherë kur Kastriot Faci organizoi për herë të parë një marshim në malin e Taraboshit me pjesëmarrjen e 50 fëmijëve dhe të rinjve nga qyteti i Shkodrës dhe Komuna Ana e Malit.

Të gjithë ata ishin pjesë e ekipeve të futbollit për vajza dhe djem të ngritura në bashkëpunim me kolegë të tjerë dhe të mbështetura nga organizata The Door.

Image

Me kalimin e viteve marshimi u kthye në traditë dhe realizimi i tij ishte çdo javë të parë ose të dytë të rifillim vitit të ri.

Kjo ngjarje vazhdon akoma dhe tani, tashmë organizimi është më i zgjeruar dhe ka kaluar hapësirat gjeografike te Shkodrës, për sa i përket pjesëmarrësve në këtë ngjarje.

Image

Në vitin 2017 Kastrioti së bashku me një grup miqsh themeluan Klubin “Taraboshi Shkodër”.

Klubi është një bashkim vullnetar dhe qëllimi i tij, motoja e tij është të jetojmë miqësisht me natyrën, promovojmë vendin tonë, malin e Taraboshit dhe të argëtohemi në miqësi të shëndetshme me njëri-tjetrin.

Image

Këtë vit me datat 13-14 Janar u realizua edicioni i 13-të i Marshimit të Përvitshëm.

Një darkë festive priti të gjithë pjesëmarrësit e shumtë në “ Restorantin “Osmanaga”.

Image

Mysafirët e rastit nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe nga Shkodra u mikpritën nga anëtarët e Klubit Taraboshi Shkodër.

Muzika popullore Shkodrane dhe ajo e mbarë trevave Shqiptarë u interpretua shumë këndshëm nga këngëtarja Orjeta Kelaj me shoqërimin e maestro Ilir Zoga.

Kënga “Gryka e Kaçanikut” një këngë e kompozuar nga dy Shkodranë, i madhi Pjeter Gaci dhe Paulin Shtjefni me rastin e koncertit të Ansamblit Kombëtar në Kaçanik në vitet 1980 u këndua në mbyllje të festës nga të gjithë të pranishmit.

Çmimin e lotarisë për albumin fotografik “Homeland II” me autor Fation Plaku, fotograf i aventurës e fitoi Islam Lama.

Organizatorët drejtuan falënderime speciale për guidat udheheqëse: Lodovik Zefi,Gjon Gjeka, Alket Camaj, Arian Ibershimi dhe arkeologun Helidon Sokoli. U ndanë dhe certifikatat e mirënjohje për disa nga më aktivistet e klubit si dhe për klubet e tjera pjesëmarrëse nga larg si:

SHBA Prishtina, Kosovë

SHBA Kaçaniku, Kosovë

HAC Angros (Viti), Kosovë

Gryka e Dervenit, Maqedonia e Veriut

SHBA Pashtriku Gjakova, Kosovë

Me datë 14 Janar 2024 takimi dhe nisja u realizua nga fshati Guri i Zi në orën 08:20. Ecja në një nga kreshtat me panaramën ndër më të bukura në Qarkun e Shkodrës përfundoi në Ganjollë.

Shtegu është me gjatësi rreth 9 Km dhe me mundësi vëzhgimi 360 gradë sidomos nga Maja e Shllimit. Prej aty shikimi të shkon larg dhe vëzhgon Malet e Cukalit, Maranaj, Rumija, Taraboshi, Shita e Hajmelit, dy Majat e Velës, Liqenin e Shkodrës, Liqenin e Vaut të Dejës dhe Detin Adriatik si dhe fushat e Zadrimës dhe Mbishkodrës dhe lumejt Drini dhe Buna.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat